Turistët braktisin Vlorën, 250 euro nata? Ja sa kushton një natë në bregdet, nëse rezervoni “sot për nesër” (ÇMIMET)

Vija bregdetare e Shqipërisë nga Velipoja në Himarë ka nisur të popullohet nga turistët e shumtë që kanë ardhur në vendin tonë, por edhe shqiptarët që kanë zgjedhur këto ditë të para korriku për të bërë pushimet me familjen.
Ndër zonat më te preferuara është jugu i Shqipërisë, Vlora, Saranda e deri në Himarë, shkruan newsbomb.al. Mirëpo, turizmi shqiptar përpos vështirësive që ka, po përballet dhe me një fushatë spekulimesh për çmimet e hoteleve, për qëndrimin një natë apo më shumë.
Në disa media dhe forume kanë dalë lajme se Vlora po braktiset nga turistët për shkak se hotelet kanë vendosur një çmim qëndrimi për natë duke filluar nga 250 euro. Spekulime që vetëm sa dëmtojnë bizneset e ndershme dhe turizmin në jug të vendit që punon vetëm tre muajt e verës.
Për të parë nëse këto deklarata qëndrojnë vërtetë, newsbomb.al ka bërë një kërkim të thjeshtë në internet, në booking.com, një faqe globale ku janë pjesa më e madhe e bizneseve dhe qëndrimi në hotel mund të rezervohet online. Siç do ju tregojmë dhe në pamjet më poshtë, edhe përse rezervimi bëhet “sot për nesër”, që botërisht dihet se është më i shtrenjtë, çmimet nuk fillojnë aspak nga 250 euro.
Për shembull, në kemi zgjedhur të rezervojmë për një natë në Vlorë, në qytet ose përgjatë hoteleve buzë detit, dy dhoma për një familje me katër anëtarë. Pra, sot më 13 korrik deri nesër më datë 14, një dhomë për dy prindërit dhe një tjetër për dy fëmijët, të rritur mbi 12 vjeç.
Çmimet variojnë nga 4,469 lekë të reja, 5,457 lekë të reja, hotele me katër yje me çmim që fillon nga 7,644 lekë të reja, hotele me 10,000 mijë lekë të reja. Ndërkohë, ka dhe shtëpi që janë 1.4 km nga Vlora dhe 650 metër nga plazhi të cilat fillojnë nga 2,352 lekë të reja nata.


Pra, çmimet janë sipas mundësive të pushuesve dhe kushteve që ata kërkojnë. Një familje me katër anëtarë dhe që kërkon dy dhoma me kushte normale në Vlorë, me kuzhinë dhe në disa raste me mëngjes të përfshirë, mund të paguajë mes 4,000 dhe 5,000 lekë të reja për një natë.
Nga vëzhgimi në booking.com, të njëjtat çmime si në Vlorë pothuajse janë dhe në Sarandë. Madje, në disa raste edhe deti është më afër. Për të njëjtat kushte si më sipër, çmimet në qytetin bregdetar të Sarandës fillojnë nga 3,175 lekë të reja/nata. Çmimi mesatar varion mes 4,075 lekë dhe 6,468.
Por ka dhe hotele apo vila buzë detit, në zona më private dhe jo shumë të populluara nga plazhistët, të cilat fillojnë nga 8,820 lekë të reja për natë e deri në 15,288 lekë të reja, shkruan newsbomb.al. Këto çmime mund t’i verifikojë kushdo nga një kërkim i thjeshtë në internet dhe lehtësisht vërehet se nata nuk fillon nga më e pakta 250 euro.

