A duhet t’i plotësojë Rama kërkesat e Ilir Metës?

Në rubrikën “Komenti i Ditës”, gazetari Dritan Hila foli për kërkesën e ngritur nga fronti Berisha-Meta drejtur kryeministrit Rama lidhur me ndryshimet në ekonomi.
Hila analizoi kërkesën e Metës për indeksimin e pagave dhe rritjen e tyre.
“Teza e dytë, ajo e Ilir Metës, për indeksimin për rritjen e rrogave, deri diku është e drejtë. Kjo është teoria bazë që Amerika dhe Evropa kanë bazuar mirqënien dhe prosperitetin. Pra të çlirohet ekonomia dhe të xhirojnë shërbimet. Por kjo ka dhe një lloj problematike. Kjo sepse ne së pari duhet të rrisim pagat e shtetit.
Shteti shqiptar është ndërmarrja më e madhe ekonomike në vend, gjenneron pagat më të larta, ka numrin më të madh të punonjësve. Pa rritur shteti shqiptar rrogat nuk ka mundësi asnjë privat që të rrisi rrogat.
Sot rritja e rrogave është bërë e domosdoshme. Fuqia punëtore dhe truri po largohen nga vendi. Sipas llogarisë paga minimale duhet të jetë 550 euro, kështu punonjësit nuk janë të interesuar të ikin jashtë shtetit sepse janë të kënaqur këtu. Ndaj lind si nevojshmëri indeksimi i pagës dhe rritja e rrogave.
Që të indeksosh rrogat për inflacionin këtu nuk është bërë që nga koha e Fatos Nanos. Pagat më pas duhet të fillojnë nga shteti. Por ka një problematikë tjetër. Ndërmarrjet e mëdha të privatit, sidomos ato që punojnë me perëndimin duhet t’i rrisin sepse paguhen mirë dhe po u ikën krahu i punës, e kjo do bëjë që të mbyllen një ditë.
Duhet ta bëjnë dhe ndërmarrjet e fasoneve ose ndryshe do të mbyllen, siç ndodhi në Rumani dhe Bullgari. Megjithatë rastet nuk mund të përgjithësohen. Varet nga pririoritetet që i ke dhënë vendit dhe pririoriteteve ekonomike që i ke vendosur vetes dhe se tek cilët sektor do të fokusohesh. Në një moment Shqipëria do duhet të mendojë për rritjen e pagave sepse do t’i largohet krahu i punës, do kemi fronte pune por jo krahë pune”, u shpreh Hila.