Britania dëbon mbi 1,000 shqiptarë, sekretarja Patel: Nuk kemi për t’u ndalur

Rreth 1,000 shtetas shqiptarë, të dënuar për krime të ndryshme apo emigrantë të jashtëligjshëm janë dëbuar nga Britania e Madhe gjatë këtij viti.

Autoritetet britanike bënë publike të dhënat, ku përfshihen edhe 487 shkelës shqiptarë, shumë prej të cilëve të kategorizuar si kriminelë të rrezikshëm.

Në total janë 1,741 shkelës të huaj të ligjit që janë dëbuar, pjesa më e madhe e tyre janë shtetas shqiptarë. Ndër personat e dëbuar në Shqipëri janë shkelës të dënuar për përdhunim, vepra seksuale që përfshijnë fëmijë, rrëmbim dhe sulm të rëndë.

Në një fluturim drejt Shqipërisë, u dëbua një shqiptar i dënuar me 18 vjet burg për trafik të drogërave të klasit A, me vlerë 2 milionë paund, thuhet në njoftim. Një tjetër shqiptar, i dënuar me 20 vjet burg për furnizim me drogë të klasit A, u kthye në vendlindjen e tij muajin e kaluar.

Zyra e Brendshme tha se rreth 500 shqiptarë që kishin hyrë ilegalisht në Britani, ishin dëbuar në fillim të këtij viti.

Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel tha se nuk do të ndalet në dëbimin e shkelësve të huaj drejt vendeve të origjinës.

“Kjo punë tregon se ne nuk do të ndalemi për të larguar ata që nuk kanë të drejtë të jenë këtu dhe jam krenare që kemi hequr pothuajse 1000 të dënuar dhe shkelës shqiptarë të imigracionit brenda këtij viti, përfshirë disa që kaluan Kanalin për të ardhur ilegalisht në britani”, u shpreh Patel.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT