Ervis Martinaj është rrëmbyer? Ja pista ku po heton Prokuroria

Prokuroria e Kurbinit është duke hetuar pistën e rrëmbimit, për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, pas kallëzimit që bëri xhaxhai i tij për humbjen e kontakteve prej 3 ditësh me nipin.
Burime për “News24”, bëjnë me dije se dyshimet për rrëmbim janë referuar nga Policia e Lezhës.
Policia veç kallëzimit të xhaxhait Faik Martinaj nuk ka prova të tjera në lidhje me ngjarjen.
Ditën e djeshme xhaxhai i Martinaj, Faik Martinaj, u paraqit pranë ambienteve të Komisariatit i shqetësuar tha se ka humbur kontaktet me nipin e tij.
Familjarët e tij pretendojë se ata nuk kanë pasur asnjë kontakt drejtpërdrejt me Ervisin, por merrnin lajme nga miqtë e tij, por as ata s’kanë folur me Martinajn, teksa shprehen se mund t’i ketë ndodhë diçka e keqe.
“Në lidhje me nipin tim, djalin e vëllait Ervis Martinaj, i cili është shpallur ne kërkim nga Prokuroria e posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dje (të martën) rreth orës 22:00, jemi njoftuar nga një i afërmi jonë, që për arsye sigurie nuk dua të përmend emrin, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por është nga Puka, se Ervisi është zhdukur dhe nuk kishte kontakte me të. Dua të theksoj se që prej kohës që nipi Ervisi është shpallur në kërkim nuk kam pasur asnjë kontakt me të drejtpërdrejt apo ne telefon, por vetëm nëpërmjet personave të afërm.
Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë. Ne kemi pritur deri ditën e sotme që mos kemi ndonjë kontakt me nipin Ervisin, por nuk kemi arritur të kontaktojmë dhe nuk kemi asnjë lloj informacioni për vendndodhjen edhe gjendjen e tij. Sot në drekë (e mërkurë) rreth orës 12:00, të shqetësuar lidhur me gjendjen e nipit Ervisit, kam njoftuar punonjësin e policisë së komisariatit Kurbin P. T. për sa thashë me sipër”, thuhet në kallëzimin e xhaxhait të Ervis Martinaj raporton Klodiana Lala për “Neës24”.
Kjo është hera e parë në Shqipëri që familjarët e një të shumëkërkuari shkojnë në polici për të kallëzuar që kanë humbur kontaktin me të shpallurin në kërkim.
Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm për të kuptuar më saktë se çfarë ka ndodhur. Ndërsa ka dyshime të forta se kjo ngjarje mund të jetë edhe inskenim, pasi në këtë mënyrë mund t’u shpëtonte kundërshtarëve por edhe policisë, e cila së fundi ka kryer kontrelle të shumta për të bërë arrestimin e tij, por pa rezultat.
Ervis Martinaj është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, aktualisht ndodhet në kërkim ndërkombëtar, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani e akuzoi si porositës i vrasjes së Endrit Dokles për 100 mijë euro.
Nga përplasja e grupeve kriminale rivale, Ervis Martinaj ka humbur disa miq të tij. Vetëm pak javë më parë iu bë atentat krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Ylli Ibrahimi. Nga atentati mbeti i vrarë 27-vjeçari Klevis Preçi, ndërsa Ibrahimi u plagos rëndë, por arriti t’i mbijetonte plagëve.