Ministria e Jashtme ‘dhëmbë për dhëmbë’ me Ambasadën Ruse, e përgënjeshtron: Nuk kemi asnjë shkresë zyrtare për incidentin në Gramsh

Ministria e Jashtme mohon të ketë marrë ndonjë note nga ambasada ruse për 2 shtetasit e kapur në Gramsh. Ndryshe nga çfarë pretendon ambasada ruse, deri në këto momente ministria, thotë për EuroNews Albania se nuk ka asnjë shkresë zyrtare.
Më herët, në një reagim për median ruse “Sputnik”, Ambasada e Rusisë në Tiranë ka bërë me dije se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare në lidhje me incidentin. Ajo kërkon mundësinë e organizimit të një takimi me shtetasit rusë të ndaluar.
“Në lidhje me këtë, ambasada i dërgoi një notë Ministrisë së Jashtme shqiptare me kërkesë për të njoftuar misionin diplomatik rus në mënyrën e përcaktuar për identitetin e të arrestuarve, vendndodhjen e tyre aktuale, cilat janë akuzat, procedimet e mëtejshme ndaj tyre, si dhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të departamentit konsullor të ambasadës me rusët e ndaluar”, tha Ambasada për Sputnik.
Kujtojmë se dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.