Ministrja e Financave merr në mbrojtje Bordin e Transparencës/ Ibrahimaj: Shtyjnë mbledhjet sa herë që…

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka marrë në mbrojtje Bordin e Transparencës lidhur me çmimet që vendosin për karburantet në vend, të cilët janë në kontrast me ato në bursa.
Në një konferencë për mediat, ministrja u pyet nëse ka ardhur koha që ky Bord të shkrihet, pasi çmimet në vend nuk korenspondojnë me ato në bursa.
Ministrja tha për gazetarët se kjo nuk është e vërtetë, ndërsa shtoi se Bordi në Shqipëri merr vendime për naftën e rafinuar dhe jo naftën në bursa. Ibrahimaj deklaroi po ashtu se kur çmimet në bursa rriten, ata “mundohen ta shtyjnë mbledhjen”.
“Unë besoj që ajo fjali që sapo thatë është supozim aspak i bazuar në realitet, është e kundërta, ju ftoj të analizoni ecurinë e çmimeve të bursës për produktet që janë nën ombrellën e bordit dhe jo të bordit për naftën bruto që ka një lëvizje të ndryshme nga nafta e rafinuar.
Bordi për çmimet e naftës së rafinuar, benzinës e gazit e në asnjë rast bordi nuk është mbledhur ne kundërshtim me rritjen apo uljen e këtyre çmimeve.
Me pasqyrimin e një ulje të çmimeve në bursat ndërkombëtare për produktin që tregtohet në vend bordi mblidhet menjëherë ndërkohë që mundohet ta shtyjë mbledhjen kur kemi raste të rritjes së çmimeve në bursë.
Vendimet janë transparente dhe mos e dezinformoni opinionin publik“, tha ministrja.