Mocion mosbesimi qeverisë së tij/ Abazoviç “kërcënon” opozitën: Nuk do mbijetojnë dot…

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar sot për herë të parë pasi partitë opozitare dërguan në Kuvend mocion për rrëzimin e qeverisë së tij.
Në një konferencë për mediat në lidhje me 100 ditët e para të qeverisjes, Abazoviç deklaroi se ata që e nisën këtë nismë, duke përdorur si justifikim nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse serbe, nuk do të mbijetojnë politikisht.
“Një pjesë e njerëzve që e nisën procedurën dhe një pjesë e strukturave që e nisin atë procedurë, gjoja duke u fshehur pas Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, sigurisht që nuk do të mbijetojnë politikisht, qoftë kjo më 19 gusht, në zgjedhje apo në zgjedhjet lokale në Podgoricë, një pjesë e atyre strukturave me siguri nuk do të mbijetojnë”, ka thënë Abazoviç.