“Nga pakujdesia”, ja me sa vite burg mund të dënohet Arjan Tase që vrau 7-vjeçaren me skaf në Himarë

Një ngjarje tragjike u shënua ditën e djeshme në plazhin Potam të Himarës, ku skafi që drejtohej nga punonjësi i policisë Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren që ishte duke u larë në det me babain e saj.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se Tase u arrestua për akuzën “vrasje nga pakujdesia”.
Mirëpo sa dënohen të akuzuarit për këtë vepër penale? Sipas nenit 58 “Vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.
AMP rrëfen edhe sesi ka ndodhur aksidenti. Në njoftim thuhet se në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit.
Pasi ka zbarkuar në breg familjarët që kishte në bord, ai ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, 7-vjeçaren, duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës./newsbomb.al