Nuk ndalet Sali Berisha, thirrje kompanisë amerikane: Tërhiqu nga projekti i Skavicës

Kryetari i PD Sali Berisha, ndodhet pasditen e kësaj të marte në Dibër, ku është takuar me banorët e zonës dhe po diskutojnë për problemet e tyre. Ish-kryeministri është ndaluar dhe te projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës.

Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve të mbrojnë Dibrën nga ai që e ka quajtur “projekti antikombëtar i Skavicës”, ndërsa vetë kompanisë amerikane “Bechtel” që ndërtoi Rrugën e Kombit, i ka bërë thirrje të tërhiqet pasi hidrocentrali përmbyt 40 fshatra.

“Nuk mund të zhduket Dibra. Nuk e zhdukën dot pushtuesit më të egër që e lakmuan aq shumë. Vjen Edi Rama ta zhdukë me një projekt të Enver Hoxhës. Thirrja për çdo dibran e shqiptar, ta shpëtojmë Dibrën. Të mbrojmë ekzistencën e Dibrës. Nëse 40 fshatra të saj përmbyten, Dibra do mbetet një emër në librat e historisë.

I bëj thirrje kompanisë, i them se mbetem mirënjohës ndaj saj për Rrugën e Kombit por i kërkoj të tërhiqet nga projekti, ky është një projekt absolutisht çnjerëzor në rrafshin njerëzor, social, projekt antikombëtar, ndaj dhe mos u mashtroni nga Edi Rama. Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur Dibrën, për të mbrojtur të shkuarën dhe të ardhmen e saj”, u shpreh Sali Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT