Perlat e Monika Kryemadhit, mbi 2 milionë lek vathë

Jo vetëm shapkat gjysmë milioni e syzet 1.5 mln lek, Monika Kryemadhi kujdeset që çdo aksesor që vendos në trup ta ketë të cilësisë së lartë dhe për më tepër t’ua tregojë ato shqiptarëve teksa u qan hallet.

Këtë herë janë vathët e ish-kryetares së ish-LSI-së. Nuk bëhet fjalë për aksesorë dosido, por për perla “Tiffany” 1900 dollarëshe, ose mbi 2 milionë lek.

Perlat, sipas përshkrimit që kompania bën në faqen zyrtare janë me ar të bardhë 18 karatsh dhe diamant brilant deri në 8 milimetër.

Me këto perla, Monika Kryemadhi është shfaqur shpesh në publik, në konferenca për shtyp, takime elektorale, takime me bazën e partisë, qytetarët e deri edhe në foto me Ilir Metën.

Në të gjitha rastet me 2 mln lek perla të varura në vesh, gjysmë milioni shapka të veshura në këmbë e syze 1.5 milionëshe, ajo ka denoncuar korrupsionin dhe u ka qarë hallet shqiptarëve që s’po mbyllin dot muajin sepse nuk u del rroga, pensioni, apo asistenca sociale që përfitojnë nga shteti.

Këto janë perlat fizike që Monika Kryemadhi mban në veshët e saj, ndërsa veshëve të shqiptarëve u servir perla oratorike falas, pa kosto për të, si në shkurt të 2020, kur tha se 500 mijë të rinj gramshiotë (!) punojnë në Mongoli (!) për 500 dollarë në muaj.

…e përbashkëta e të dyja perlave është që të dyja paguhen nga shqiptarët./ Voxnews.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT