Rrëfimi i rojës që u përlesh me rusin në Uzinën e Gramshit: Kishim djegie, por e mbajtëm shtetasin e huaj deri sa…

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga incidenti me 2 rusët dhe ukrainasin në Uzinën e Gramshit mbrëmjen e së shtunës.
Teksa ditë ne sotme zhvillohet gjyqi për shtetasit e huaj të akuzuar për spiunazh, në dosjen e Prokurorisë janë zbardhur rrëfimet e rojeve të uzinës, që u përleshen me rusët dhe ukrainasin.
“Ndjemë djegie në sy, marrje mëndësh dhe djegie të gjoksit dhe supeve, por e mbajtëm shtetasin e huaj deri sa erdhi policia”, ka thënë Aldo Bici, njëri nga rojet që u përleshen me rusët.
Sipas rrëfimit të tij në momentin që ai është afruar bashkë me rojën tjetër Ardian Xhaka, për të kapur prej krahu rusin 200 metra nga muri rrethues i Uzinës, ai ka nxjerrë një spraj me të cilin i ka sulmuar në fytyrë dhe në trup.
Në dosje thuhet se rojet kanë ndjerë djegie të syve dhe trupit, marrje mendsh dhe djegie të gjoksit dhe supeve, por pavarësisht kësaj e kanë mbajtur personin deri në momentin e ardhjes se forcave të policisë.
Më pas Aldo Bici dhe Ardian Xhaka kanë shkuar në urgjencën e spitalit të Gramshit ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë transportuar në Tiranë për ndihme të specializuar.
Dy rusët Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov do të dalin sot para gjykatës së Elbasanit për tu njohur me masën e sigurisë.
Mësohet se avokatët e shtetasve rusë dhe ukrainas janë Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan, Demir Çiftja dhe Aldi Kaçi, ndërsa avokati i tretë do të caktohet gjatë seancës. Seanca do të mbahet rreth orës 11:00.