“Serbia ka filluar një agresion të pashpallur ndaj Kosovës”, Majko: Mos e grah grethin me krande!

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, Majko e quan atë që po ndodh në veri si një provokim serb, ndërsa thotë se “është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga “Pons Pilati” në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!”

Më tej, Majko deklaron se politika e Beogradit po humb cilësitë europiane dhe po funksionon si “front i dytë” për politikën e Lindjes.

“Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës.

Politika e tundimit të serbëve me gënjeshtrat e duhura nga Beogradi, mbart rrezikun që ata të verbohen dhe të mos shohin cmendurinë që kanë para syve.

Shpallja unilaterale nga 4 komunat në veriun e Kosovës, të territorit me legalitet të dallueshëm, është fillimi i një krize që nuk ka të bëjë me të drejtat e serbëve.

Provokimi serb në Kosovë, është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga “Pons Pilati” në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!

Politika e Beogradit po humb cilësitë europiane dhe po funksionon si “front i dytë” për politikën e Lindjes.

Dhuna sjell ndryshime të shpejta por rezultate iluzore!… Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Pandeli Majko.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT