‘Shtet i zymtë’/ Ndikimi i Putin: Si po shkon Rusia drejt shndërrimit në një vend fashist

Vladimir Putin po krijon një lloj të veçantë fashizmi në Rusi. Kjo është arsyeja pse vendi i tij është një kërcënim i madh për Ukrainën, Perëndimin dhe vetë popullin rus, shkruan The Economist.
Këto ditë, në Moskë, duket se gjithçka është e ndaluar. Askush nuk flet hapur për luftën në Ukrainë. Fjala “luftë” është e ndaluar dhe biseda për të është e rrezikshme.
E vetmja gjurmë e luftimeve që po zhvillohen 1000 km në jug të vendit, janë lavdet për ushtarët heroikë që kanë humbur jetën. E megjithatë, Rusia është në mes të një lufte.
Në Moskë, nuk ka as marshime me pishtarë. Shfaqjet e shenjës “Z”, gjysma e svastikas, që përfaqëson mbështetjen për luftën, janë të rralla. Trupat ushtarake nuk organizojnë pogrome. Vladimir Putin, diktatori i Rusisë, nuk mbledh rreth vetes turma të rinjsh në ekstazë dhe nuk bën thirrje për mobilizim masiv. E megjithatë, Rusia është në prag të fashizmit.
Ashtu siç Moska e fsheh luftën e saj pas një “operacioni special ushtarak”, ajo fsheh edhe fashizmin e vet pas fushatës për të shfarosur “nazistët” në Ukrainë. Megjithatë, Timothy Snyder, profesor në Universitetin Yale, vë në dukje shenjat treguese: “Njerëzit nuk pajtohen mbi atë se çfarë konsiderohet fashizëm”, shkroi ai së fundmi në “New York Times”, “por Rusia e sotme e plotëson shumicën e kritereve”.
Kremlini ka ndërtuar një kult individi rreth Putinit dhe një kult rreth Luftës së Madhe Patriotike të viteve 1941-‘45. Regjimi i Putinit nuk arriti të rivendoste epokën e artë të humbur dhe “të shëronte” Rusinë.
Te lista e Snyder mund të shtojmë urrejtjen ndaj homoseksualizmit, fiksimin me familjen tradicionale dhe besimin fanatik në fuqinë e shtetit. Asnjë nga këto elemente nuk janë të natyrshme në një vend laik, me një brez të fortë anarkist dhe pikëpamje tolerante për seksin.
Nën formën e fashizmit të Putinit, Rusia po i drejtohet një rruge pa kthim. Pa retorikën e viktimizimit dhe përdorimit të dhunës, Putini nuk ka asgjë për t’i ofruar popullit të tij. Kjo do të thotë se ai do të përdorë dhunën dhe totalitarizmin për të imponuar vullnetin e tij në vend. Ai jo vetëm që synon të shkatërrojë një Ukrainë të lirë, por po bën gjithashtu luftë kundër ëndrrave të popullit të tij. Dhe, deri tani, po fiton.