Si është marrë peng debati publik nga “Trekëndëshi i Bermudës”. Deri kur?!

Nga Roland Bejko
Debati publik në Shqipëri prej shumë muajsh është kapur tërësisht nga debati politiko-mediatik mbi hallet personale të elitës politike të vendit.
Ata, problemet e tyre personale po i trajtojnë si probleme të gjithë shoqërisë duke thithur veçanërisht militantët e partive respektive në kurthin e komenteve të batutave, fyerjeve e ultimatumeve formale që i adresojnë njëri tjetrit në distancë (numri i lartë i militantëve respektivë, u duhet për të kërcënuar jo thjesht njëri tjetrin, por e përdorin edhe si pushtet dhune ndaj kujtdo që është kundër tyre)
Ai që është kryeministër, akuzohet për korrupsion të madh, të tmerrshëm, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Me një vullnet dhe impenjim serioz të organeve ligjzbatuese, ai rrëzohet së bashku me qeverinë e tij, pa patur nevojë për një revolucionin “demokratik” të dy hallemëdhenjve të opozitës, apo të votës popullore.
Ai që është kryetar i lëvizjes së tij, Foltores, hall të madh personal e familjar e ka refuzimin që i bëhet nga USA, GB, dhe BE, por mbi të gjitha hall ka akuzat shteruese që i bëjnë për vete dhe familjen e tij. Edhe për largimin e këtij nga politika nuk ka nevojë të krijohet një projeksion i ri politik për t’i hequr mbështetjen. Mjafton që organet e drejtësisë të bëjnë punën e vet, dhe këtu mbaron filmi me aksion, gënjeshtra, manipulime, luftë e grushta i foltores. Ai del nga bunkeri PD ku është strehuar dhunshëm prej disa muaj për hallin e vet personal dhe PD bashkohet, rilind, rikrijohet si alternativë pushteti me një filozofi e vizion të ri, ekip të ri, lider normal.
Ai i treti, që sapo doli nga presidenca, u strehua në një bunker të vjetër me emër të ri për tu mbrojtur nga sulmet e shumta që i bëhen, siç edhe pritej, nga drejtime të ndryshme. I akuzuar për spiun, por edhe për afera të tjera personale për të cilat është involvuar vet SPAK-u, kërcënon drejtësinë, dhe institucionet, ndërse Ramën, me përmbysje me anë tërevolucionit të shtatorit.
Pra, që të tre me hallet e tyre personale, së pari kanë uzurpuar institucionet respektive, ata në opozitë-partitë, ky në pushtet qeverinë. Të tre i bashkon fakti se këto institucione i përdorin si kulla ku kanë fshehur kokën së bashku me klanet respektive, dhe nga fërngjitë e tyre, të ndihmuar nga mediat, qëllojnë me ultimatume njëri-tjetrin. Në fakt, ata thjesht po i dërgojnë mesazhe bashkëpunimi dhe mirë kuptimi njëri-tjetrit me kode, me nëntekstin se nëse bie njëri prej nesh nga të opozitës, kujdes se do bihesh bashkë me ne edhe ti i qeverisë. (Të tre i bashkon, kë më shumë e kë më pak, e njëjta akuzë; korrupsioni, bashkëpunimi me grupe kriminale, dhe pengimi i instalimit të shtetit të së drejtës.)
Së dyti, të tre këta kanë katër armiq të përbashkët nga të cilët rrezikojnë nëmos burgun, të paktën pensionimin politik.
1. SHBA+ BE+Britaninë e Madhe.
2. Drejtësinë (nëse zgjohet nga gjumi dhe i ikën nga thonjtë politikës që e mban kapur për qafe)
3. Opinionin publik të pjesës së ndershme të shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë me djersin e ballit, pa korrupsion, pa krim, pa tendera korruptivë.
4. Kohën. Të tre këta, që dikush i ka quajtur si Trekëndëshi i Bermudës, kohën e tyre politike e kanë konsumuar. U mungon narativa, u mungojnë idetë e reja, u mungon kredibiliteti publik, u mungojnë ekipet me bashkëpunëtorë të pakonsumuar, pa histori korripsioni, dhe me kredibilitet të lartë publik. Nuk ushqejnë më asnjë shpresë, (përveç militantëve respektivë e klanit të vet.)
Pra, në përfundim të kësaj analize, konstatojmë se ligjërimi dhe debati i tyre politik, nuk është asgjë më shumë veçse debat i motivuar pesonalisht si pasojë e halleve dhe problemeve të tyre vetiake që nuk përbëjnë më asnjë intetes për pritshmëritë e qytetarëve të tilla që politika me debatet e veta konstruktive t’i ndihmojë ata në përmirësimin e cilësisë së jetës, rritjes së mirëqenies, zhvillimit ekonomik të vendit, dhe forcimit të demokracisë.
Të mos harojmë, ne jetojmë në Tiranë, dhe e dimë shumë mirë se pavarësisht debateve, ultimatimeve e thirrjeve për “luftën finale në emër të varfërisë së qytetarëve dhe korrupsionit të madh qeveritar”, punët e veta dhe oborrit respektiv, secilit u ecin për mbrekulli. Paraja dhe pasuritë u shtohen çdo vit. Punojnë të gjithë me të njëjtët oligarkë, dhe ndajnë tendera shumë milionëshe midis tyre nëpërmjet eminencave dhe farefisit të afërt.
Militantët që i mbështesin, janë jashtë tepsisë së argjentë të pushtetit të Trios në fjalë. Ata thjesht ushqehen në tre vakte me gjellën e gënjeshtër që u sevirin në pjata plastike, kodoshët e “elitës” politike që i përdorin kur u duhen si ushtarë të bindur në mbrojtje të interesave personale e familjare duke u hedhur herë pas here ndonjë thërime që mbetet pa dashje në tavolinat e gostisë së tyre.
Ndërsa ata që e kanë kuptuar që politika këtu, dhe debatet që prodhon për ditë janë thjesht ngjyrat e spektaklit banal të kësaj elite që i sundon dhe i vjedh paturpësisht prej 30 vjetësh për të mbrojtur pasuritë përallore që kanë vënë në kurriz të shqiptarëve, ose kanë marrë distanëcë prej tyre duke u kthyer krahët, ose kanë zgjedhur të braktisin vendin duke ikur nga sytë këmbët.
Ky është realiteti në vendin tonë për fat të keq, debatin publik, na i ka marrë peng Rama, Berisha, Meta për të zhvilluar si të tillë, debatet për hallet e veta personale e familjare, që kanë potencialisht me Amerikën dhe drejtësinë shqiptare.
Deri kur?!