Thellohet historia me spiunët në Gramsh/ Tre agjentë specialë pritet të marrin në dorë çështjen. Do hetohet edhe për bashkëpunëtorë shqiptarë

Gramsh- Duket se nuk është aq e thjeshtë historia e blogerëve rusë. Arrestimi i dy prej tyre dhe një ukrainasi javën e shkuar në ish-fabrikën ushtarake të armëve në Gramsh, ka ngjallur interes dhe tek shërbimet inteligjente partnere me Shqipërinë. Gazetari Muhamed Veliu, mëson se gjatë javës të ardhshme pritet të mbërrin në vendin tonë tre agjentë specialë, të një prej shërbimeve më të rëndësishme inteligjente në botë.
“Ky grup përbëhet nga dy ekspertë analistë, me një eksperiencë të gjatë në çështjet e spiunazit rus. Ndërsa personi i tretë është i specializuar për profilizimin e personave që punojnë për llogari të shërbimeve sekrete ruse” tha i njëjti burim.
Krahas Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov për këtë shërbim inteligjent të vendit mik me Shqipërinë, ka një interes të posaçëm ndaj Mikhail Zorin i lindur në Moskë por student në një vend të BE. Mikhail Zorin jetonte në Pragë ku ndiqte studimet për Kimi. Treshja e inteligjencës të vendit mik, krahas analizimit të provave të mbledhura deri më tani, do të synojë të zbulojë detaje të tjera për studentin rus të kimisë Mikhail Zorin.
Detaje te reja. Çfarë iu gjetën tre rusëve që u lanë me masë arresti në burg?
Grupi i gjerë i hetimit nën udhëheqjen e prokurorit Kreshnik Ajazi, kanë përftuar detaje të shumta me interes për këtë investigim, për të provuar se kemi të bëjmë me të dërguar për qëllime spiunazhi nga Rusia në vendin tonë. Në telefonat e të arrestuarve është gjetur një skicë me shkrim dore e detajuar e hyrjeve dhe vendqëndrimeve të rojeve, në ish-fabrikën ushtarake të Gramshit.
Kjo skicë është dërguar përmes aplikacionit Telegram në një numër me prefix rus. Të tre rusëve i janë gjetur edhe një shumë monetare e konsiderueshme prej 6.000 dollarësh amerikanë. Grupi hetimor beson se kjo shumë e konsiderueshme parash mund të përdorej prej tyre për të paguarin e bashkëpunëtorëve shqiptarë. Prandaj një prej pistave ku po hetohet, është edhe evidentimi nëse kanë pasur bashkëpunëtor shqiptarë. Prokurorët, Drejtoria e Antiterrorist dhe SHISH po analizojnë me kujdes përpjekjen e sponsorizuar nga Rusia, javën e shkuar, ku u tentua ofrimi për t’u intervistuar nga media shqiptare të miqve të Svetlana Timofeeva dhe babait të Mikhail Zorin.TCh