Tronditet Lezha! Po dëgjojmë çdo ditë ngjarje shumë të renda! Deri kur?

Nga Agron Sulshabanaj
Lexoj në titra që në mëngjes pa u zgjuar mirë: Vrasje e dyfishtë në Lezhë! Ngjarje shumë e rendë në Grykzezë me dy viktima babë e bir!
A mund të shmangen të tilla ngjarje kaq shokuese që po përsëriten? Krimet brenda familjes shoqërohen me pasoja të shtrira në kohë, por ato sigurisht që mund të shmangen, të minimizohen!
Sot çdo qytetar që lexon titrat në ekrane, tronditet dhe bën disa pyetje: A ndjejnë përgjegjësi për mosveprimet e tyre ata që duhet të garantojnë jetën, pronën, rendin, qetësinë e qytetarit që i paguan me taksat e tij?
Kur i shohim këto titra, dëshirojmë të jenë fake news. E nëse jo, i shpreh ngushellime familjes, por si qytetar kam këto pikëpyetje,
nëse motivi është siç shkruajnë mediat:
A kishte informacion policia lokale, veçanërisht personat që detyrë funksionale kanë menaxhimin e konflikteve të tilla të mprehta e që duhet të parandalojnë ngjarje kaq të rënda?
A bëhet analizë më pas pse ndodhi vrasja? A ishte një konflikt që ndiqej nga policia? Çfarë veprimesh janë bërë, a jane të dokumentuara?
Autori a është mbajtur nën mbikqyrje për shkak të konfliktit pas divorcit? A ka kërkuar ai mbështetje tek Përmbarimi Gjyqësor, tek Policia për të takuar fëmijet e tij?
Ka edhe veprime të tjera, në dukje të thjeshta, por që duan kohë, përkushtim, dëshirë e në fund të fundit, ti don detyra, puna që kryen! Qofsha i gabuar por nëse do ishin zgjidhur pikëpyetjet e mësipërme, sot babë e bir të kthyer nga Italia do ishin në plazh dhe ish-dhëndri tyre nuk do ishte në kërkim!
Ngjarje të tilla që kanë përballë mosveprimin në përmbyshjen e detyrës po na ndodhin shumë shpesh. Deri kur? Ku është ShKB-ja me emër te ri? Këtë nuk e themi që të ndëshkohen arbitrarisht punonjësit e ndershëm të policisë!
E themi që të minimizohen ngjarje të tilla kaq të rënda e me pasoja në vite!
Ish kolegë! Më të përgjegjshëm, më sensibel, më kreativ për ngjarje të tilla, sepse ata mund dhe duhet të parandalohen. Kjo është detyra juaj numër një: Parandalimi, mandej zbulimi dhe goditja!
Uroj të jetë fake news, nëse jo, duhet të zgjoheni, të vlerësoni e të menaxhoni konflikte të tilla që degradojnë kaq rëndë, siç kjo ngjarje që tronditi Lezhën dhe gjithë opinionin publik!
—–
Agron Sulshabanaj, kryekomisar, ish-drejtues policie.