“Unë ndenja 8 vite në një ‘Benz’ të Marko Bellos”/ Berisha: Këta s’dinë ç’bëjnë, me 4 milionë euro…

Ish kryeministri Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, ku u diskutuan problematikat dhe situata e vështirë ekonomike.
Në fjalën e tij Berisha deklaroi se qeveria po planifikon të vendosë një instalacion prej 4 milionë eurosh në oborrin e kryeministrisë. Sipas ish-kryeministrit ky është një tregues i abuzimit të qeverisë në këto kohë të vështira ekonomike. Berisha shtoi po ashtu se ai vetë gjatë kohës që ishte kryeministër, ka qëndruar për 8 vjet me një “Benz” të të ndjerit Marko Bello.
“Partia Demokratike ka një përgjigje të fortë. Ne kemi bërë denoncime të fuqishme këto vite, por ato nuk mjaftojnë. Unë besoj se veprimi qytetar dhe program janë rrugët e ndalimit të këtij varfërimi të frikshëm të shqiptarëve. Pak metra nga këtej është një oborr në kryeministri, aty kam pritur njeriun më të fuqishëm të globit, presidentin George Ë Bush.
Sot del se aty Edi Rama do të vendosë një instalacion druri me 4 milionë euro. Më vjen keq t’ua them këtu, unë kam ndenjur 8 vjet me një “Benz” të të ndjerit Marko Bello.
Këta s’dinë ç’bëjnë, 4 milionë euro për një instalacion . Ky është një nga rastet. Drejtësia nuk vepron. I vërsulet SPAK-ut Edi Rama se është Olsi Rama që po hetohet si i lidhur me mafian e Call Centerave. Hetimi ndërkombëtar është përqëndruar te Olsi Rama, bashkë me atë Strakoshën, për plaçkitjet e tmerrshme që kanë bërë. Institucionet nuk po veprojnë ndaj duhet veprimi qyetar”, tha Berisha.