“Berisha u çua nga Ramiz Alia të qetësonte studentët”

Mikhail Gorbachev ishte sekretari i fundit i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe njëkohësisht presidenti i fundit i tij. Me Gorbachev u mbyll historia e komunizmit sovjetik të filluar në vitin 1917.
Për këtë dhe për rastin shqiptar të kalimit të pushteteve foli më tepër gazetari Dritan Hila në rubrikën Komenti i Ditës në Dritare TV.
“Në Shqipëri, Ramiz Alia u përpoq të bënte një kalim që nuk do ishte gjakësor. Të dhënat janë që Shqipëria nuk do kishte atë mënyrë kalimi të pushteti, por gjithsesi ne ishim një rast shumë specifik sepse ishim një vend që kishte kaluar nga një gjendje tribale dhe feudale zona-zona në një diktaturë të hekurt komuniste dhe duhej bërë kalimi në një sistem të ri i cili kishte lidhje shumë të pakta me mentalitetin e popullsisë shqiptare.
Kjo ishte detyra e vështirë e Ramiz Alisë, i cili ia doli që të bënte një tranzicion të pushtetit në forcat e reja që po lindnin jashtë gjirit të Partisë së Punës në Shqipëri. Duke kaluar në emra konkretë, mund të përmendet një prej tyre Sali Berisha, i cili nuk ishte një produkt fantazmagorik. Ai ishte një njeri i cili u cua nga Ramiz Alia në kuptimin e vërtetë të fjalës, që të qetësonte studentët dhe këtë e kanë pohuar të gjitha palët.
Por Berisha nuk kishte celësin magjik për të marrë frerët e revoltës, ai thjesht kishte më teper njohuri si funksiononte një parti dhe si funksiononin mekanizmat e marjes së pushtetit dhe ia doli që të ishte në krye të Partisë Demokratike.
Kapitalizmi shqiptar ishte një kapitalizëm anarkik ku krahas kapitalistëve që merreshin me tregtinë e mallrave patëm privatizime abuzive të pasurive shtetërore, e cila në ndryshim nga vendet e tjera u shpërdorua. Ndaj ne sot kemi një kapitalizëm rudimentar që bazohet vetëm tek tregtia dhe nuk kemi një kapitalizëm si në Lindje”, u shpreh Hila.