“Boll me teorinë ndërto-korrupto-legalizo”! Rama paralajmëron ndërtuesit: Do konfiskohet çdo m2…

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërtuesit se nuk do të lejohen më të shtojnë kate pa leje.
Në një konferencë për mediet këtë pasdite, Rama tha se ndërtimet që janë bërë me qëllime fitimi do të konfiskohen dhe do të përdoren për strehim social, apo si zyra për institucionet shtetërore, ndërsa lekët që do të fitohen nga shitja e këtyre ndërtimeve pa leje, do të shkojnë për shpronësimet.
“Është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje, sa në det, sa në rërë, sa në mes të Tiranës. Kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe të pamëshirshme të këtyre aksionerëve që kanë milion për kate, llaç e tulla. E kanë bërë vijën e ligjit si një litar që e këpërcejnë me lloj lloj marifetesh. Policia e Shtetit duhet të angazhohet fuqishëm dhe të bashkohet me aksionin e IKMT-së, bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave për shembjen ose konfiskimin e të gjitha ndërtesave që janë bërë në shkelje të ligjit. Të gjitha m2 që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo zyra për institucionet që janë akoma më qira. Ligji thotë se ndërtimet pa leje me qëllim fitimi, shemben ose konfiskohen për interes publik, plus paguhet gjobë, plus mund të ketë dhe ndëshkim.
Çdo lekë që do të mblidhet nga parablerja e mundshme do të shkojë për shpronësimet, p.sh. tek Unaza e Re. Boll më ndërto me teorinë: korrupto policin, korrupto inspektorët dhe në fund futi një legalizim në mënyrë të paligjshme. Nuk do të ketë më KURRË legalizime të ndërtesave të paligjshme me qëllim fitimin”.
Nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rama kërkoi nisjen e hetimeve për punonjësit e policisë që mbulojnë zonat ku janë ndërtuar këto objekte pa leje.
“Shefi i komisariatit në zonën ku është ndërtuar një pallat pa leje, s’ka se si të jetë shef komisariati”, theksoi ai.