Deputeti socialist: O ballistë që kërkoni ndalimin e filmave shqiptarë, ulni kokën e kërkoni falje! Ose hani pula

Deputeti i PS-së, Petro Koçi, ka reaguar pas debatit për ndalimin e filmave shqiptarë, duke thënë se kjo po kërkohet nga bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit.
Sipas Koçit, ballistët duhet të kërkojnë falje që bashkëpunuan me armikun dhe të rregullojnë edhe çështjen e marrëdhënieve në shërbim të një uniteti kombëtar.
“Ballistët nuk i solla unë por i gjeta në histori. Ballistë quhen ata që kanë qënë anëtarë të Ballit Kombëtar.
Problemi është se çdo përpjekje për të mohuar vlerat e Antifashiste Luftës Nacional Çlirimtare, është një përpjekje antikombëtare, antishqiptare, sepse në Luftës e Dytë Botërore shqiptarët në shumicë morën një vendim politik dhe ushtarak për të qëndruar në anën e duhur në frontin e bashkuar antifashist dhe antinazist.
Ata që kanë bashkëpunuar me fashizmin dhe nazizmin është mirë që të kërkojnë falje dhe të rregullojnë edhe çështjen e marrëdhënieve në shërbim të një uniteti kombëtar.
Pale tani këta na kërkojnë edhe ndalimin e filmave shqiptarë, me pretendimin se janë propagandë komuniste.
Ju duhet të kërkoni falje për bashkëpunimin me armikun, ose ikni hani pula“, deklaroi ai.