E FUNDIT/ Afera e familjes Berisha, SPAK merr në pyetje Genc Rulin

Hetuesit e SPAK po vijojnë të marrin në pyetje të tjerë ish zyrtarë që kanë pasur dieni mbi privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Këtë të martë, në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur për t’u marrë në pyetje ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli.
Më herët për këtë hetim kanë dhënë dëshminë e tyre ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Gazment Oketa, si dhe ish- gjenerali Vladimir Qirjazi.
Ky i fundit është i vetmi zyrtar që doli kundër makinerisë së Sali Berishës për aferën e privatizimit të ish- kompleksit Partizani, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim.
Për çështje ditësh, në zyrën e prokurores që po heton aferën e privatizmit të ish-kompleksit, pritet të thirren edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani.
Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit, i cili edhe pse nuk ka firmosur më dorën e tij, ka vendosur në rresht ministra dhe drejtorë për të kaluar pronën publike në duart e dhëndrit Jamarbër Malltezi.
Përfituesi kryesor është Jamarbër Malltezi, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë, ku në këmbim të kthimit të pronës falë pushtetit të vjehrrit, do t’u merrte në këmbim sipërfaqen në fjalë.
Mbi këtë pronë, Malltezi ngriti 19 kulla, me para që nuk u dihet burimi, në të cilat është pronar me 40 %.
Nga investigimi i Report Tv rezulton se kanë marrë pjesë dhe janë implikuar tre ish ministra të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, ish- ministri i Financave, Ridvan Bode, ish- ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ish- presidenti Bamir Topi, ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Gjergji Lezha, ish-drejtori i Anti-korrupsionit në Kryeministri Oerd Bylykbashi, ish-inspektori i Anti-korrupsionit Ilir Kadiu, i cili ishte edhe në konflikt interesi dhe gjenerali i Brigadës Xhemal Gjunkshi.