Gazetarja: Gledis Nano i kishte shkëputur kontaktet me Çuçin, për efektivët që dyshonte se i financonte krimi dhe kokainën në Port

Gledis Nano, prej dy ditësh nuk është më në krye të Policisë së Shtetit pasi u shkarkua nga Këshilli i Ministrave. Shkak sipas ministrit Çuçi ishte “mospërmbushja e objektivave që i ishin vendosur Gledis Nanon”.
Mirëpo, gazetarja Klodiana Lala thotë se kryepolici prej kohësh i kishte shkëputur kontaktet me ministrin e Brendshëm, për shkak të dyshimeve që Gledis Nano kishte për efektivë të financuar nga krimi i organizuar. Sipas saj, një tjetër çështje ka qenë dhe kokaina në Portin e Durrësit.
“Kishte kohë që kishte shkëputur kontaktet me Ministrin e Brendshëm. Përplasje për çështjen e emërimeve, përplasje për efektivë që kishte dyshime se ishin financuar nga krimi i organizuar. Kishte të bënte me disa sasi kokaine në portin e Durrësit.
Në këtë sens, ministri i kërkoi dorëheqjen. Zoti Nano pretendonte se nuk kishte asnjë arsye për ta dhënë, se në 10 muaj nuk kishte patur kohën e mjaftueshme. Nëse s’ka përmbushur Gledis Nano objektivat, pas tij duhet të jepte dorëheqjen ministri”, tha Lala ne Opinion.