Intervista armiqësore e Vjosa Osmanit, kundër Edi Ramës: I kujtohet Valmiri i vogël me biberon në gojë, që e vranë serbët?

Vjosa Osmani ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ajo ka vlerësuar presidentin Bajram Begajt, ndërsa Ramës i ka kujtuar vrasjet e serbëve.

Pjesë nga intervista:

Zonja presidente, nisma “Ballkani i Hapur” shkaktoi një çarje në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përse një nismë që synon bashkëpunimin krijon një situatë të tillë në mes vendeve që marrëdhëniet e tyre i kanë cilësuar vëllazërore?

Marrëdhëniet vazhdojnë të jenë vëllazërore. Kosova ka pasur fatin që gjithnjë ta ketë përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë në çdo forum ndërkombëtar ku ne ende nuk kemi ulëse për shkak të bllokadës ruso-serbe dhe kjo ka ndodhur për vite të tëra edhe para pavarësisë por edhe pas pavarësisë, prandaj kjo përkrahje vazhdon, bashkëpunimi ynë vazhdon, pavarësisht dallimit që kemi për çështjen e “Ballkanit të Hapur”. Natyrisht arsyet e mospjesëmarrjes sonë në një nismë të tillë tashmë i kemi bërë të ditura, ato janë arsye parimore sepse kjo nismë bie në kundërshtim me parimin e barazisë së shteteve sepse Kosova nuk ka mundësi që të anëtarësohet si e barabartë, pra me emrin e saj kushtetues, me flamurin e saj dhe simbolet e saj shtetërore sepse Serbia si nismëtare e kësaj nisme ka qartësuar se e do Kosovën aty siç e quan ajo, si provincë të saj. Natyrisht kjo për ne është absolutisht e papranueshme sepse Kosova njëherë e përgjithmonë është shtet i pavarur dhe sovran dhe i barabartë me të tjerët në rajon.

Pra një nismë e tillë që shkel parimin e barazisë së të gjithëve natyrisht që nuk mund të jetë e pranueshme për ne. Po ashtu është shkelur edhe parimi i gjithëpërfshirjes, sepse nismat rajonale siç e dini duhet të kenë parimin e gjithëpërfshirjes të respektuar që nga fillimi, që nga lindja e tyre dhe jo më vonë dhe ka shumë sfida tjera që i kemi parë dhe brengat e tjera që i kemi shprehur përgjatë kohës që kanë të bëjnë edhe me çështjen e integrimit evropian edhe me çështje të sigurisë edhe me çështje ekonomike dhe natyrisht që kërkojmë që ky qëndrim i Republikës së Kosovës i marrur në mënyrë të matur i përkrahur nga shumica dërrmuese e partive politike në vend dhe të gjitha institucioneve në vend pavarësisht a janë në pushtet apo opozitë, të respektohet nga të gjithë, ashtu siç ne e respektojmë qëndrimin që e ka marrë Shqipëria, por kjo është një çështje për të cilën nuk pajtohemi.

Zonja presidente a u takuat me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Nju Jork dhe a ka gjasa që marrëdhëniet mes jush të përmirësohen pasi që nuk është sekret që keni pasur disa mosmarrëveshje?

Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale. Sa herë që kemi pasur nevojë për përkrahjen e tij, për ndihmën e tij për të shtyrë nisma të caktuara përpara, qofshin ato në nivel rajonal apo më gjerë, kemi mundur të llogarisim në të prandaj po e them që raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individualë. Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve.

Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë. Sot ta zëmë, ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli dy vjeçari Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që e shikon fotografinë e Valmirit të vogël nuk mund ta quajë atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik, sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie.

Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve. Kosova si shtet i pavarur e sovran mos të harrojmë se është edhe projekt e sukses kombëtar, nuk është projekt e sukses vetëm i shqiptarëve të Kosovës është kombëtar, prandaj secili shqiptar gjithandej e ka obligim kombëtar që ta mbrojë e shtyjë përpara këtë projekt.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT