Kompleksi i sekuestruar 1,200 m2 në pronësi të SALILLARIT, “bosi” që merr tenderat e rrugëve ndërton PA LEJE në mes të TIRANËS

Kompleksi i pallateve pa leje të konfiskuara sot, në një sipërfaqe plot 1200 metra katrorë është në pronësi të biznesmenit të njohur Pëllumb Salillari, mëson Newsbomb.al.
Kompleksi i pallateve te Liqeni i Thatë në Tiranë, ishte ndërtuar një sipërfaqe e madhe pa leje, e cila është konfiskuar sot sipas vendimit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Salillari duket se do të detyrohet tashmë të blejë me lekë në dorë “pronën e tij”, me një çmim prej rreth 350 mijë lekë metri katror.
Por edhe në këtë rast, mister mbetet fakti se si u ndërtua ky pallat gjigant pa leje në një prej zonave më të lakmuara të Tiranës, pa u vënë re nga asnjë autoritet përkatës.
Të pranishëm në sekuestrimin e pallatit, ditën e sotme ishin ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe shefja e re IKMT-së Dallëndyshe Bici.
“Operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi”, tha Çuçi./ Marre nga: Newsbomb.al.