“Kullat po ndërtohen për të pastruar para”/ Rama komenton artikullin e “The Guardian”, ja çfarë thotë për Teatrin

Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për median gjermane “Der Spiegel”, ku ka folur dhe lidhur me një artikull të publikuar disa javë më parë në median prestigjioze ‘The Guardian’ e cila shkruante se kullat që po ngrihen në Tiranë, janë skema pastrimi parash dhe korrupsioni.
Rama u është kundërpërgjigjur duke hedhur poshtë këto akuza, ndërsa tha se pronaret e kullave të ardhshme në qendër të Tiranës, janë biznesmenë të njohur të cilët kanë marrë kredi për të ndërtuar këto gradaçela.
Kryeministri ka folur dhe për Teatrin Kombëtar, teksa ka thënë se i riu do ndërtohet në të njëjtin truall.
“Së fundmi në ‘The Guardian’ u botua një artikull për ndërtimin e shumë pallateve të larta në qendër të Tiranës, ku pretendohej se projekti i ndërtimit është pastrim parash dhe se këto pallate të larta do të qëndrojnë bosh. E gjithë kjo është e gabuar”, u shpreh Rama.
“Po ndërtohet një i ri ku u shemb teatri i vjetër. Dhe bëhet fjalë vetëm për shtatë ndërtesa të larta. Pronarët e ardhshëm janë të gjithë biznesmenë të njohur. Ata janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Shqipëri. Blerjet dhe shitjet përpunohen përmes bankave. Disa tani pretendojnë se janë paratë e drogës. E vërteta është se këta persona kanë marrë kredi nga bankat për financim, verifikohen të gjitha transaksionet e shitblerjes. Deklarata jonë ndoshta nuk përshtatet në trendin e artikullit”- shtoi ai.