“Kush harxhon më shumë nuk ka mbrojtje”/ Rama tregon pragun: Ja kush do e paguajë më shtrenjtë energjinë elektrike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 800 kWh energji elektrike, do duhet ta paguajnë atë me çmim tregu.

Në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ku u prezantuan masat për krizën e energjisë, Rama tha se konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla do vijojnë të mbrohen nga rritje e çmimit të energjisë.

Nga ana tjetër, çdo familje që harxhon më shumë se 800 kilovator, do ta paguaj energjinë me çmimin e tregut pa përfituar nga mbrojtja.

“Çdo kush që harxhon mbi 800 kw do të paguaje me çmimin e tregut dhe me këtë synojmë të krijojmë një presion për të ulur konsumit e tepërt në kushte krize. Zvicra ka vendosur 3 vite burg për ata që ngrohin shtëpinë e tyre më shumë se 90 gradë. Gjermania ka paraqitur plani për fikjen e dritave pas orës 22:00 të darkës. Ne nuk kemi një plan të tillë shkurtimesh drastike, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka nevojë për ta kursyer energjinë. Ata që vijojnë duke thënë se jemi ndryshe nga e gjithë bota se e kemi energjinë se na vjen nga qielli dhe jo gazi rus, nëse kjo qeveri e poshtër nuk do të përdorte lekët që shet energjinë për gjëra të tjera , flasin pa kuptim. Shqipëria edhe në vitin e vet më të mirë sa i përket reshjeve që është një vit që nuk po vjen prej katër vitesh, nuk e prodhon dot të tërë energjinë që i duhet, edhe kur hidrocentralet janë plot, jo më kur fillojnë të bien nga kuotat. Në vitin kur del në treg dhe importon Shqipëria paguan me çmime marramendëse të tregut”, tha ai, duke shtuar: “Në vitin më të mirë Shqipëria duhet të dalë në treg dhe duhet të importojë dhe paguan me çmimet marramendëse të tregut, ky është fakt nuk është opinion. Rritja e kapaciteteve prodhuese, transformimi i Shqipërisë në një eksportues neto është ambicia jonë. Për momentin jemi tërësisht të varur nga tregu. Për sa kohë jemi të varur nga tregu, duhet të kuptojmë që sforcoja që po bëjmë për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla është e jashtëzakonshme. Në totalin e vet çfarë tregova sot dhe çfarë do të shtjellojë më pas ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe ministrja e Energjisë është një mbështetje financiare në kohë krize afro gjysmë miliardi.”- tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT