Mijëra tonë naftë kontrabandë në portin e Durrësit/ Zbardhet dëshmia e libanezit: Është hera e tretë që vi në Shqipëri

4 libanezët të cilët u kapën në portin e Durrësit duke transportuar mbi 2 mijë ton naftë kontrabandë u lanë në burg ditë ne djeshme nga Gjykata.
Zuhair Alkwaifi, Amad Abushala, Muayid Ali Altahir dhe Badr Teezini u arrestuan pasi nafta që po transportohej nga Libia drejt vendit tonë nuk korrespondonte me dokumentacionin e deklaruar për shkak se sasia e saj ishte më pak.
Ndërkohë, në dëshminë e tyre para autoriteteve shqiptare, shtetasi Zuhair Alkwaifi hodhi poshtë akuzat për kontrabandë, duke shtuar se kjo ishte hera e tretë që sillte naftë në Shqipëri dhe se është arrestuar pa ndonjë arsye.
“Jemi të habitur nga kjo që po na ndodh. Ne jemi transportues të rregullt dhe punojmë për kompani të ndryshme që porosisin hidrokarbure. Këtë radhë kompania që e kishte porositur nuk e pranoi ngarkesën dhe në ketë moment erdhi kapitaneria dhe struktura të tjera duke bërë veprimet.
Ne jemi komfor të gjitha rregullave, nuk bëjmë kontrabandë. Ne funksionojmë në këtë mënyrë: kompania porosit sasinë, e ngarkojmë në vendin ku kemi për ta marrë dhe e transportojmë drejt vendit pritës. Kompania pritëse paguan vetëm pasi ka marrë ngarkesën dhe e ka magazinuar. Por, papritur erdhi kapitaneria, rojet bregdetare etj dhe më pas, edhe Policia.
Na arrestuan pa asnjë arsye. Ne jemi të pafajshëm sepse kështu funksionon transporti i hidrokarbureve. Ne kemi ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri dhe s’kemi pasur asnjë problem. Neve para se të vinim në Shqipëri kemi lajmëruar 48 orë përpara kompaninë dhe kapitanerinë shqiptare komfor të gjitha rregullave.
Nëse do bënim kontrabandë do ta lajmëronim kapitanerinë?! Ne erdhëm në Durrës dhe ishim në pritje të dorëzonim mallin. Papritur na mori pronari i kompanisë dhe na tha se do prisni pasi kompania shqiptare kishte kërkuar ulje çmimi. S’kishin rënë dakord për çmimin edhe pse paraprakisht kompanitë ishin dakordësuar. Naftën e ngarkuam në portin e Bengazit në Libi. Atje furnizohemi gjithmonë”, ka thënë ai.