“Mua dhe qeverinë s’na blen dot askush”, Rama: Akti i parë i dorëzimit, 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës i kalojnë shtetit!

Është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës.
Përmes një video-mesazhi, kryeministri Edi Rama tha se 4646 metra katrorë pa leje në mes të kryeqytetit tashmë i kalojnë shtetit me kontratë noteriale.
Kreu i qeverisë u shpreh se numri i metrave katrorë pa leje është ulur, por ende nuk janë ndaluar sepse sipas tij “e kanë gjetur gjithnjë rrugën duke paguar inspektorë, ndonjë polic apo ndonjë shef komisariati.
” Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.
Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.
Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.
E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.
Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto kohë kaq të vështira”, tha Rama ndër të tjera.