Ndërtimet pa leje, Rama: Na ka turpëruar llumi që gëlon në Drejtësi dhe Policinë e Shtetit

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ku ka folur për sezonin turistik, preku edhe temën për ndërtimin pa leje.
Ai sërish ka akuzuar prokurorët e punonjësit e administratës që kanë favorizuar ndërtuesit e mëdhenj të cilët kanë shkelur ligjin, duke i quajtur “llum”.
Kryeministrii ka thënë se është ndier i turpëruar për fajin e llumit që gëlon në sistemin e drejtësisë bashkë dhe policinë e shtetit.
“Dua të nënvizoj se akoma kemi probleme me ndërtimet. Sigurisht kemi akoma ndërtime pa leje, por kemi dhe ndërtime me leje. Pa mbyllur historinë e ndërtimeve pa leje dhe ngacmimin e territorit jashtë planeve dhe pa rritur cilësinë e ndërtimeve të destinuara për turizëm. Do t’i shtrëngojmë më shumë masat për ndërtimet pa leje. Askush nuk do të gëzojë as një metër pa leje. Të mendojnë vetë ça do bëjnë, do t’i dhurojnë, do t’i blejnë me çmimin e tregut plus çmimi i indeksuar ose do t’u konfiskohen. Jemi ndier të turpëruar për fajin e llumit që gëlon në sistemin e drejtësisë bashkë me llumin në policinë e shtetit, e kanë shumë të lehtë të çojnë prokurorët te ndërtuesit e mëdhenj.
Rastet flagrante i janë bërë publike, një kotec, një avlli, dritaret e famshme të Bojken Lakos dhe e kanë të pamundur që të veprojnë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës, që janë më pak nga se kanë qenë më parë. Prokurorët e korruptuar që s’kanë kaluar akoma vetingun”, tha Rama.