Pesë anije me grurë dhe pleh kimik nisen nga portet ruse drejt Shqipërisë, marrëveshja e OKB i hapi rrugën tregtisë (FOTOT)

Lufta luftë, por tregtia, tregti. Pesë anije, janë nisur nga Rusia në drejtim të dy porteve shqiptare: Durrës dhe Porto Romano. Me flamurin rus, një me flamurin e Gambias, një me të Maltës, dhe dy me flamurin e Palau sipas Marine Traffic, nisja e tyre është bërë prej porteve Rostov dhe Yeysk në Rusi, raporton newsbomb.al.

Në fund të korrikut, me ndërhyrjen e Turqisë dhe nën bekimin e OKB u arrit marrëveshja për të lejuar anijet të qarkullojnë në porte sipas porosive, pavarësisht luftës në Ukrainë, por me specifikime të qarta për të shmangur kontrabandimin.

Sipas informacioneve të deritanishme, anijet janë të mbushura me grurë dhe ure/pleh kimik. Njëra prej anijeve, OK HOTSK, është aktualisht në portin e Durrësit.

E ngarkuar në Rusi, rruga e përshkruar është nga porti turk drejt portit të Durrësit. Kjo anije e mbushur me grurë, është duke u përpunuar në portin e Durrësit për t’u shkarkuar. Por nuk është vetëm kjo anije, raporton newsbomb.al. Anija Volgo Balt 206 ka prekur ujërat joniane tani sipas Marine Traffic.

Anija u nis në 8 shtator nga porti i Rostovit në Rusi dhe pritet që të mbërrijë në portin e Durrësit në 18 shtator, pra ditën e nesërme me orën lokale, që në mëngjes, për të filluar të shkarkojë ngarkesën. Anija lundron nën flamurin e Palau, pavarësisht se është ngarkuar në portin Rus. E ndërtuar në 1977 kjo anije është 114 metra e gjatë. Anija e tretë është Semyon Morozov që lundron nga Porti Rostov në Rusi drejt Porto Romanos në Shqipëri, një port i dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare.

Kjo anije është nisur në 14 shtator nga porti rus dhe pritet të mbërrijë në porto romano në 22 shtator. E ndërtuar në 1975, anija lundron nën flamurin e Palau, sipas Marine Traffic. Anija e katërt APACHE është nisur po nga porti Rostov në Rusi në 10 shtator dhe pritet të mbërrijë pas 10 ditësh lundrim në 20 shtator në Porto Romano.

E ndërtuar në vitin 1991, anija është 139 metra e gjatë dhe 17 metra e gjerë dhe lundron nën flamurin e Maltës. Anija e pestë është NS UNION që sipas Marine Traffic është nisur nga porti Yeysk në Rusi në datën 12 shtator dhe është drejtuar drejt Durrësit. Do të mbërrijë në portin e Durrësit për tu përpunuar në 21 shtator. Anija me një gjatësi 88 metra dhe e gjerë 11 metra lundron nën flamurin e Gambias. /newsbomb.al/

Back to top button
LAJMET E FUNDIT