Rama ndan foto nga Harvard Club: U diskutua për sigurinë, paqen dhe krizën energjitike

Kryeministri Edi Rama që prej dy ditësh ndodhet për një vizitë zytare në SHBA për të marrë pjesë në sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Ai gjithashtu mori pjesë në një prej takimeve të nivelit të lartë, me krerë të shteteve dhe qeverive, ku u diskutua ndër të tjera për aktualitetin në Ukrainë, situatën energjetike dhe sulmet kibernetike, mes të cilëve edhe sulmet e shumëfishta ndaj Shqipërisë.
Në takimet që janë zhvilluar në kuadër të Asamblesë, Rama bëri një panoramë të situatës së përgjithshme, ku informoi se së fundmi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare u sulmuan nga Republika Islamike e Iranit, përfundim ky i arritur pas një ekspertize të detajuar të skuadrës Microsoft dhe skuadrës së agjencive të specializuara amerikane.
Kryeministri tha ndër të tjera se i gjithë rajoni po përballet me sulme të kësaj natyre, përfshi këtu Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndër të tjera Kryeministri Rama ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa sa i takon diskutimeve mbi krizën energjetike në shkallë globale, ai theksoi se Shqipëria nuk varet nga gazi rus, por bazohet 100 % në energjinë e burimeve hidrike.
“New York – Në Harvard Club për tryezën e diskutimit mbi sfidat dhe përgjigjet shumëpalëshe për paqen, sigurinë dhe krizën energjetike”, shkruan Rama në fotot që shpërndanë në Facebook.