“Atje nuk ka veto ruse”, SHBA: Rezoluta e Shqipërisë shkon në Asamblenë e OKB-së

Edhe pse Rusia, ashtu siç edhe pritej, e bllokoi me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i referendumeve të paligjshme në Ukrainë, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e bëri të qartë se dokumenti do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh, ku vetoja e Moskës nuk ekziston.
“Një hap i tillë kërkon të tregojë se bota është ende në anën e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Shtetet e Bashkuara e propozuan rezolutën së bashku me Shqipërinë, për të dënuar të ashtuquajturat referendume të mbajtura në territorin ukrainas. Rezoluta është e drejtpërdrejtë. Ajo i dënon këto votime të paligjshme dhe u bën thirrje të gjithë vendeve të mos njohin asnjë ndryshim të shtetit të Ukrainës, ndërsa kërkon të tërheqë menjëherë trupat e saj prej andej. Se kjo është detyra jonë, mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial, promovimi i paqes dhe sigurisë”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB.
Dhjetë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan në favor të rezolutës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan.
Përfaqësuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, e kishte bërë të qartë në fjalën e tij se “referendumet e rreme në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson nuk kanë të bëjnë fare me demokracinë, me vullnetin e lirë të ukrainasve, me asnjë standard ndërkombëtar zgjedhor”.
Sipas rezolutës, referendumet “nuk kanë vlefshmëri dhe nuk mund të përbëjnë bazën për ndonjë ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”./Top Channel