Dënohet me 13 vjet burg antishqiptari, lideri i Agimit të Artë në Greqi

Lideri i Agimit të Artë në Greqi, Nikos Michaloliakos, është dënuar me 13 vjet burg nga një gjykatë në Athinë, së bashku me pesë ish-deputetë të formacionit të ekstremit të djathtë në shtetin helen.
Lajmin e ka raportuar media greke “Kathimerini”, ku shpjegohet se pas një procesi prej mbi pesë vjetësh, drejtuesit e grupimit neonazist në Greqi janë tashmë me vendim gjykate pas hekurave.
Akuzat me të cilat ata janë përballur, kanë qenë kryesisht të lidhura me drejtimin e një grupimi terrorist, siç edhe Agimi i Artë është përcaktuar në Greqi disa vite më parë.
Të huajt ishin preja kryesore e këtij grupimi, ku episode edhe me vrasje, përfshi të shtetasve shqiptarë, e kanë përfshirë atë në të shkuarën.
Emigrantët gjithashtu etiketoheshin si “armiq” në ideologjinë e forcës, e cila u bë politike dhe hyri edhe në Parlamentin helen me disa deputetë.
Teksa aktet e dhunës, nuk kanë munguar më parë as ndaj kundërshtarëve politikë, të cilët binin ndesh me mënyrën se si Agimi i Artë operonte dhe e zhvillonte veprimtarinë e vet. /Albanianpost.com