Erdhi me 522 mijë euro nga Italia, shoferi revoltohet në gjyq: Unë në burg pse u ndalova me paratë e mia, politikanët vjedhin miliona dhe të lirë

“Ka pushtetarë që i vjedhin shtetit 4 milion euro dhe lëvizin të lirë, ndërsa unë në burg me paratë e mia”.

Ka qenë ky regimi i Elidon Çelës në sallën e gjyqit, para togave të zeza, të cilat e lanë në burg këtë të martë.

Çela u arrestua pak ditë më parë në portin e Durrësit, pasi ishte shoferi i autobusit ku u gjetën 522 mijë euro të padeklaruara.

Ai ka pretenduar para hetuesve se janë të ardhura që i ka fituar nga puna në Itali.

Në një deklaratë për mediat, pasi Gjykata la në burg Elidon Çelës, avokati Gramoz Lika u shpreh se vendimi do të apelohet.

“Për sa i përket shoferit i cili i kishte sjellë nga shteti italian në pikën e kalimit shumën prej 520 mijë eurosh, gjykata vendosi ta lërë në burg, për faktin se duhet të provojë nëse i ka këto lekë me djersë e me mund apo i ka në rrugë të tjera.

Shoferi pretendon se ka 27 vite që punon në shtetin italian, familjarisht, lekët i ka kursime ndër vite dhe i kishte sjellë t’i investonte në Shqipëri, por gjithsesi këtë do ta zgjidhë hetimi.

Të dy ndihmësit e tjerë, shoferët që i kishte u lanë të lirë nga gjykata pasi doli se nuk kanë lidhje as me paratë, as me sendet e tjera që janë gjendur në autobus.

Janë disa sende që mund të diskutohet që mund të paguhet për to akcizë, sende pa vlerë, siç janë ndonjë shishe verë, janë ilaçe për kalamaj, karroca, sende që nuk përbëjnë ndonjë vlerë të madhe as për shtetin, as për shoferin.

Gjithsesi fakti që u ngrit dyshimi për veprën penale për pastrim të produkteve të veprës penale, shoferi do të qëndrojë në masën e sigurisë arrest me burg deri në sqarimin e rrethanave. Gjithsesi vendimi është objekt ankimi në Gjykatën e Apelit.

Ai po i sillte nga Italia sepse i ka fitim të 27 viteve. Ka biznes atje, ka punë të ndryshme atje, ka punuar në Itali, ka shitur, ka blerë.

Shoferi kishte pretendime se ka pushtetarë tha që ia vjedhin shtetit dhe nuk i lë njeri në burg, 4 mln euro, jo të më lërë mua në burg për 520 mijë euro që i kam të miat.

Gjithsesi kështu mendoi gjykata, kështu mendoi prokuroria dhe shoferi do të rrijë i paraburgosur deri sa situata të zgjidhet, ose Gjykata e Apelit të marrë një vendim ndryshe. Vendimi do ankimohet dhe do të shkojë në Gjykatë të Apelit”, tha avokati.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT