Grupi i Alibeajt zgjedh Gazment Bardhin për të NEGOCIUAR me Berishën: Të dalim me një KANDIDAT të vetëm në zgjedhjet lokale

Grupi i deputetëve mbështetës të Enkelejd Alibeajt ka mandatuar Gazment Bardhin për të negociuar me ish kryeministrin Sali Berisha dhe aleatët, për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet lokale.

Përmes një deklarate të bërë publike, grupi i Alibeajt thekson se kanë zhvilluar sot një takim dhe se “në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për lokalet.

Sipas tyre kjo është zgjedhja e vetme për t’u përballur me regjimin e kryeministrit Edi Rama.

Me këtë deklaratë duket se do t’i jepet fund ndarjes në dy kampe brenda PD dhe do të gjejnë format e duhura për të bashkëpunuar me Sali Berishën. Më herët ish-kryeministri Berisha ka shprehur qëndrimin e tij pro bashkimit të forcave opozitare, për të shkuar me një kandidat të përbashkët në këto zgjedhje.

DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE: 

Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.

Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.

Me qëllim diskutimin e çdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.

Grupi Parlamentar i PD-së shpreh gatishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT