Një tjetër “spiun” i huaj në Shqipëri/ Si u “sulmua” reparti ushtarak nga çeku që zbriti me parashutë nga Dajti

Duket se Shqipëria nuk po gjen rehat nga “spiunët” e huaj, të cilat vazhdojnë të shqetësojnë autoritetet në vend.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak ditë më parë në repartin ushtarak 6640, që shërben dhe si agjencia e sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit të forcave të armatosura. Perimetri i reparti është cenuar nga një shtetas çek.
Mësohet se turisti ka fluturuar me një parashutë nga Mali i Dajtit, brenda territorit të repartit, duke alarmuar stafin e qendrës së ndërlidhjes në Tiranë, në zonën e njohur si “rrapi i treshit”.
Çeku u ul thuajse në brendësi të infrastrukturës ushtarake dhe më pas u ndalua edhe nga policia që mbërriti me urgjencë në vendngjarje. Rasti u vlerësua dhe nga anti-terrori ndërsa shtetasi çek, pasi u mor në pyetje, rezultoi se ishte një turist që ushtronte sporte ekstreme.
Nga kontrolli dhe verifikimet nuk i është gjetur asgjë e kundërligjshme ndaj është lënë i lirë, raporton Euronews.
Pas sulmit të ushtarëve në uzinën e Gramshit nga dy shtetas rus dhe një ukrainas të dyshuar si spiunë, Forcat e Armatosura kane rritur vigjilencën. 1 ditë pas ngjarjes së Gramshit u ndaluan dhe disa shtetas çekë në tunelet e Poliçanit, që gjithashtu rezultuan turistë.