Noka: Do forcojmë njëherë partinë, se e kemi dobët, pastaj do nisim protestat dhe grevat kundër Ramës

Gjithë verën, PD e Sali Berishës e pompoi publikun me idenë se në shtator do të bënin naming me protesta për rrëzimin e Ramës.
Por shtatori iku pa asnjë protestë.
Numri dy i PD-së së Berishës, Flamur Noka, tani thotë se kryesore për ta është forcimi i partisë, pasi kanë kuptuar se nuk kanë shumë ndjekës.
“Agjenda e opozitës për këtë vjeshtë është më se e qartë: fuqizim dhe energjizim i strukturave të PD, përgatitja për primaret si risi madhore në politikën shqiptare dhe përgatitja për përballjen, ku do të ketë protesta, greva.
Fuqizimi i strukturave prevalon mbi të gjitha. Primaret dhe protestat, ku përfshihen grevat, janë pika e dytë e aksionit, që do të thotë se do të jenë paralel me njëra- tjetrën, pa ndikuar tek njëra-tjetra”-u shpreh Noka në RTSH.
Përgjatë këtyre 31 viteve, qeveritë nuk janë rrëzuar asnjëherë me protesta, por Noka thotë se PD është e vendosur të bëjë gjithçka për të çliruar votën e lirë nga ai që e quan regjimi i Edi Ramës.
“Kjo është qeveria më armiqësore ndaj shqiptarëve. Kemi të bëjmë me një regjim që ka kapur ekzekutivin, legjislativin, bën presion dhe kontrollon mediat, ka kapur edhe drejtësinë, që është shndërruar degë e ekzekutivit, ka kapur presidentin. Është një qeveri që po shpopullon këtë vend dhe po e varfëron. Me një regjim zgjidhja është përballja me të gjitha format e ligjshme.”- thotë Noka.
I pyetur nëse çadra si në 2017-ën është një opsion, sekretari i Përgjithshëm i PD ishte krejt i qartë.
“Çadra tregoi se është një formë që dështoi. Nuk futet Sali Berisha dhe PD në çadër”- theksoi Flamur Noka.