Rama: Do presim studentë të huaj në universitetet tona! Pse duhet të marrim ato me pesa për të mbushur kuotat?

Kryeministri Edi Rama foli ditën e sotme për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet e vendit tonë. Rama deklaroi se Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë në rankimin e vet në rast se ka brenda tij edhe Mjekësinë.
Por nga ana tjetër, ai u shpreh se nuk duhet të ketë në të gjithë vendin universitete që i ofrojnë të gjitha degët e arsimimit për shkak se nuk kanë kapacitetet e nevojshme.
“Kështu si është ky sistem nuk na çon larg dhe i bën gjithmonë e më pak tërheqësia degë të caktuara të cilat pastaj detyrohen të ulin pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin dhe pastaj thonë një pjesë do i marr edhe me pesa sepse më duhen.
Vijnë tek ne kërkesa që ulni mesataren se na duhen njerëz. Duhet ta shohim në të kundërtën gjënë. Tani po shohim që me hapa të vegjël dhe kuptimplotë edhe kërkimi shkencor po rritet.
Duke u përqendruar te cilësia, vetëm kështu do mund të mbajmë vajza e djem të mrekullueshëm që studiojnë në gjimnaze këtu, e mund të bëjmë atë që sot duket si utopi për të pasur studentë të huaj këtu.
Këtë na e kanë thënë të gjithë, në gjithë vendet e Perëndimit na kanë thënë ne duam të krijojmë këto lidhje se ne duam që dhe studentë tanët qofshin vendas ose të huaj nga vende të tjera të Evropës të mund të vijnë e atje se kemi nevojë për zgjerim të kapaciteteve ofertuese”, u shpreh Rama.