Si ta kuptoj Sonila Meçon?

Nga Bardhyl Reso

Fakti që në mediat tona audio-vizive si dhe në shtyp kontribojnë mjaft femra është me të vërtetë një hap i madh cilësor për t’u admiruar në zhvillimet sociale e politike të shoqërisë shqiptare.

Personalisht, mundohem të jem një ndjekës i rregullt i mediave shqiptare që pas emigrimit në SHBA 30 vjet më parë. Në dhjetëvjeçarin e fundit në sajë të arritjeve teknologjike na është krijuar mundësia të informohemi në çdo minutë a orë të ditës apo të natës për ç’ka bëhet, ç’ka thuhet e kush po flet.

Më kujtohet kur sapo kisha nisur jetën në Amerikë dhe përpiqesha të ndiqja sa më shumë intervista, opinione apo analiza të gazetarëve të njohur, për të kuptuar jetën politike, sociale e ekonomike  të vendit ku do jetoja tash e tutje. Mes tyre shumë femra të cilat mbi të gjitha më bënin përshtypje për seriozitetin, integritetin, elegancën dhe mirësjelljen. Kujtoj me nostalgji intervistat e Barbara Walters, Meredith Vieria-s, Diane Sawyer-s dhe padyshim e veçanta Christiane Amanpour. Kam ndjekur intervista e opinione të tyre me krerë shtetesh, demokratë, apo diktatorë, me artistë e sportistë, me njerëz të thjeshtë apo miliarderë, me mafiozë apo heronj, me komuinstë e fashistë e me gjithfarëlloj profesionesh, statusesh sociale e politike.

Kur m’u dha rasti të njihem me gazetaren e njohur Rudina Xhunga të cilën e kisha ndjekur prej kohësh dhe më kishte lënë përshtypjen e një gazetareje dinjitoze, mendjehapur dhe të sukseshme, nuk hezitova t’i kërkoja një hapësirë për të shprehur mendimet e shqetësime të mija për gjendjen ekonomike, sociale e politike në Shqipëri. Nuk e mendova se do të niste një bashkëpunim i shkëlqyer një vjeçar ku e ndjeva veten në një tryezë mes miqsh ku mund të shprehesha hapur dhe pa asnjë rezervë pavarësisht pro apo kundër forcave politike, pushtetarëve të kësaj apo asaj partie. Në bisedat tona jemi munduar që vetëm me fakte dhe argumente të provojmë të vërtetat dhe opinionet tona për zhvillimet në Shqipëri. Ndonëse zonja Rudina ka bindje të majta e unë e përcaktoj veten si djathtist liberal, kemi gjetur një mirëkuptim të ndërsjellë e të respektueshëm që ka ndërtuar një bisedë të hapur pa ndroje e pa paragjykime.

Me këtë shembull personal, dua që të nënvizoj se sa i rëndësishëm është roli i bisedës dhe prezantimi i fakteve, paraqitja e problemeve dhe analiza e tyre për shikuesit dhe dëgjuesit që dëshërojnë të mësojnë të vërtetat pa dorashka dhe padyshim vendin kryesor në këtë podium mediatik e ka moderatori i cili i jep drejtimin, frymën dhe mbi të gjitha seriozitetin bisedës apo analizës së rastit.

Mora shkas për këtë shkrim, nga ç’ka lexova së fundmi nga gazetarja dhe opinionistja Sonila Meço. Më bëri përshtypje tituli,  “Edi Rama, lëshoi bajgare se kështu është kur s’ke gazetarë të vërtetë përballë”, ku analizonte atë ç’ka u tha në emisionin “OPINION” të Blendi Fevziut. Qëlloi që unë e kisha ndjekur atë emision dhe, në mos gabohem, një nga gazetarët e ftuar ishte dhe zonja në fjalë, ndaj nuk kuptoj se cilët prej tyre nuk ishin gazetarët e vërtetë. Gjithë të tjerët, përveç saj?

Unë në fillim i kam ndjekur emisionet e Fevziut, por më pas aty ftoheshin të njejtët gazetarë dhe opinionistë të cilët, sapo parashtrohet problemi, pa i dëgjuar fare dihet se çfarë do të thonë. Pëkatësitë e tyre politike të paracaktuara dhe të ditura, janë kompasi i vetëm i analizës së tyre pavarësisht nga ngjarja, momenti, apo personat për të cilët bisedohet. Mbase për këta gazetarë e ka fjalën zonja Meço?

Pra, gazetarja përforcon edhe një herë mendimet e shprehura në “OPINION” rreth aktivitetit të Kryeministrit të Shqipërisë dhe rolit të tij të veçantë në Samitin e parë për krijimin e Komisionit Politik Europian. Nuk kuptova fare nëse zonja Meço ishte zbavitur apo shqetësuar nga bajgaret që ka bërë Kryeministri ynë në këtë Samit shumë të rëndësisshëm në një situatë tejet të tensionuar që po kalon kontinenti Europian dhe bota në tërësi. Nuk e kuptova sepse nuk e kisha dëgjuar kurrë fjalën “bajgare” dhe nuk e dija se ç’kuptim kishte. Hapa fjalorin e gjuhë shqipe dhe nuk e gjeta por pasi pyeta një linguiste të gjuhës shqipe më shpjegoi se është një dialektizmë e  shqipes së folur në Kosovë. Nuk ka asgjë të keqe sepse leksiku i gjuhës sonë pasurohet nga dialektalizmat. Megjithatë mendoj se një gazetare dinjitoze mund të kishte përdorur një fjalë më të përshtatshme dhe më të kuptueshme për të gjithë shqiptarët që të kuptonim më qartë se ç’po fliste. Pasi shqipërova titullin, vazhdova të lexoj. E mbarova. Përsëri nuk e mora dot vesh se cili ishte qëllimi i atij shkrimi.

Përshtypja ime për Samitin ishe që kryeministri Edi Rama përfaqësoi qeverinë e shtetit shqiptar si një i përzgjedhur i veçantë nga komisioni organizues i këtij Samiti si dhe një nga tre folësit kryesorë të cilët prezantuan  tezat e këtij Samiti kaq të rëndësishëm ku morën pjesë 44 vende  europiane me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Edi Rama nuk shkoi në Samit si armiku më i madh i Sali Berishës “non-grata”, apo si hajduti më i madh i Shqipërisë, siç deklaroi Ilir Meta! Prandaj, me të drejtë, më lind pyetja se cili është meraku juaj zonja Meço. Cfarë prisnit ju nga gazetarët e ftuar në “OPINION”? Të kritikonin e të shanin Edi Ramën për bajgaret që ju pretendoni apo pse u ftua në Samit ku, siç e pamë të gjithë, ishte shumë i afërt dhe i përzemërt deri dhe konfidencial me drejtuesit e rëndësishëm të BE-së? Kjo vetëm nderon pjesëmarrjen e Shqipërisë me një rol të rëndësishëm në Samit.

Atëhere, cila ishte dëshira juaj, që Shqipëria mos të merrte pjesë apo të shkonte ndonjë ish-president apo ish-kryeministër që ja u ka ënda juve?

Jo vetëm kaq, por si analiste e thekur e situatës gjeopolitike të Europës e të gjithë botës, e zhvlerësoni dhe e cilësoni të panevojshëm Samitin për krijimin e Komisionit Politik Europian me një logore qesharake ku përzjen atom e hidrogjen, gjumin e pasdites, fatin e trishtuar të shqiptarëve dhe bajgare.

Ajo ç’ka munda të kuptoj nga kjo marri inatçore, se vetëm ashtu mund ta konsideroj shkrimin tuaj, ju keni dashur thjesht të villni vrer, kuptova ndjenja atikombëtare që minojnë interesat e Shqipërisë sepse mendoj se jeni thjesht një gazetare e blerë dhe e shitur sipas shumës së ofruar apo interesit personal.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT