“U krijua një grup kriminal”/ Berisha ngre akuza të forta: Autopsia e Lear Kurtit u falsifikua nën terrorin e Ardi Veliut

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur akuza të forta ditën e sotme, në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, pasi u arrestua nga policia.

Sipas Berishës, autopsia që nxori se i riu vdiq pasi kishte gëlltitur dy doza kokainë, është një mashtrim i sajuar nga policia. Në një konferencë për mediat, ai tha se Ardi Veliu urdhëroi që autopsia e të riut të manipulohej për të mbuluar dhunën e policës.

“Patrulla e policisë u vërsul drejt ti, e ndoqi, por si përfundim e çoi të vdekur në komisariat. Sipas të dhënave nga një keqtrajtim brutal dhe terror i vërtetë ndaj tij.

Asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasje, në hetimin e kësaj barbarie ndaj një njeriu. Të supozojmë se vërtet këtij i ndaloi zemra. Po për të faktuar këtë gjë, duhej korrektesa absolute në çdo hap.

Nuk vdes natyralist një i ri 32-vjeçar, ka injorancë të krimineleve që shpallin një gjë të tillë. Nuk mund të vdesë natyralist i riu 32-vjeçar. Është ekscepsion i të gjitha ekscepsioneve. U vërsulën të tjerë kriminelë me uniformë, me në krye Ardi Veliun për të falsifikuar çdo të dhënë. Njoftuan se të riun e dërguan në gjendje të rëndë në spital dhe vdiq atje, ndërkohë që e dërguan kufomë në spital.

Në kundërshtim me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë, sikur të ishin klandestine. Në një autopsi kur thua për vdekje natyrale duhet të lënë të paktën 12 orë.

Në një rast të tillë kur vdes një 32-vjeçar, autopsia bëhet nga një grup ekspertësh dhe jo nga një ekspert i vetëm nën terrorin e Ardi Veliut. Një grup kriminal, u krijua në këtë rast sesi e si të vrasin për së dyti, Lear Kurtin. Jashtë çdo lloj imagjinate. U përsërit skenari i Klodian Rashës. Atëherë Ardi Veliu njoftoi se në një pellg u gjet një revole dhe se polici që e vrau po e ndiqte për revoltën.”- deklaroi Berisha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT