“Besoj se është gjallë”/ Gjyshi i Alvin Berishës kërkon ndihmë nga shteti për vajzën në Siri: Dua të di edhe për nipin që lindi atje

Ju kujtohet Alvin Berisha? Është djali që në vitin 2019 u shpëtua nga kampi famëkeq të Al Hol. Nëna e tij, Valbona, në vitin 2014 vendosi që të shkonte në Siri dhe me vete mori vetëm Alvinin, duke lënë në shtëpi dy vajzat e saj.
Historia e tij u rikthye sot në vëmendjen e publikut, pasi gjyshi nga mami kishte kërkuar nga emisioni “Shqipëria Live” që të jepte një intervistë. Pasi tregoi se kishte 8 vite pa takuar nipin dhe dy mbesat e tij, kërkoi nga ish-dhëndri që ta lejonte që t’i shikonte.
Gjithashtu kërkonte të dinte informacione të sakta në lidhje me vajzën e tij, pasi ajo ende ndodhet në Siri. Edhe pse më herët është raportuar se Valbona mund të ketë ndërruar jetë në kamp si pasojë e një shpërthimi, por ai beson se është ende gjallë.
Ai kërkon nga shteti shqiptar që t’i kthejnë në Shqipëri të bijën dhe nipin që Valbona e lindi në Siri.
Pjesë nga intervista:
Keni pasur informacione që do ikte në Siri vajza juaj?
Më vjen keq që e bëri. Kurrë njeriu nuk duhet të bëjë gjëra të shkojë te ekstremi. Ajo duhej të merrej vesh me prindin. Nuk e dija, nuk do e lija kurrë.
Valbona ra pre e radikalizmit?
Kam pasur një vajzë të mrekullueshme, qoftë në opinionin e shkollës, ka pasur një reputacion të mirë të sjelljes. Por fati deshi që të përfundonte kështu.
Ju mendoni se Valbona është gjallë? Pasi ka pasur të dhëna që ka pasur shpërthim dhe mund të ketë ndërruar jetë. Keni ndonjë informacion?
Prindi mendohet për fëmijën që të ketë diçka shpirtërore, të jetë gjallë. Në këtë jetë jemi mysafir, mundet që atje mund të ketë ikur. Por shpirti ma ndjen se është gjallë.
Ka kontaktuar njeri me të?
Kam pasur kontakte me njerëz të tjerë, e flitet se ajo ka shpëtuar, ka shkuar në spital dhe pastaj nuk i dihet, a ka shkuar në burg apo çfarë. Dua të di nëse është gjallë apo jo. Por dua të dimë edhe për nipin që lindi atje.
Një apel të fundit nëse dëshironi? Nëse ajo është gjallë dhe mund të iu shikojë në internet, doni ti thoni diçka?
Nëse ajo do na dëgjonte ne, dua që ajo me veprimin që mund të bëjë të rregullojë opinionin te njerëzit që e kanë rrethuar dikur. Të kthehet në gjirin familjar. Të kthehet sa më shpejt.