Bordi i naftës kundër shqiptarëve! Nafta sot 56 dollarë më pak në bursa, çmimi duhet ulur

Nafta ka shënuar në tregjet botërore çmimin më të ulët në 11 muaj, duke arritur në horizontin e 81 dollarëve për fuçi dhe 870 dollarëve për ton të naftës për makina.

Prej më shumë se dy javësh tashmë, çmimi i saj qëndron nën kufirin e 1000 dollarëve për ton.

Kjo rënie drastike vjen pas rënies së kërkesës nga Kina, importuesi më i madh në botë, për shkak të trazirave kundër masave të Covid dhe vendosjes së një çmimi tavan nga Europa për naftën ruse.

Maqedonia e Veriut e cila vazhdimisht po tregon me Komisionin e saj Rregullator se është një hap përpara Bordit shqiptar mori vendimin me uljen e naftës me 3 lekë mesnatën e së dielës, ndërsa në Shqipëri qytetarët vijojnë ta paguajnë më shtrenjtë.

Nga vendimi i fundit i Bordit shqiptar fuçia e naftës ka rënë me 56 dollarë, ndërsa edhe dollari, e cila është pjesë përbërëse e formulës është dobësuar nga vendimi i fundit në 25 Nëntor me  0,72 pikë, gjë e cila automatikisht duhet ta bënte naftën në Shqipëri deri në 5 lekë më të lirë.

Por bordi i mostransparancës së çmimit të naftës ende nuk është mbledhur për të marrë vendim e për të ulur çmimin e naftës i cili aktualisht është në 211 lekë për litër. Pushimet anëtarëve të bordit të naftës për festat e Nëntorit do t’i kushtojnë shqiptarëve minimalisht 5 lekë për çdo litër naftë që do blejnë nga sot. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona lekë të cilat pa të drejtë ikin nga xhepat e konsumatorëve të thjeshtë tek arka e madhe e kompanive të naftës por edhe të qeverisë./ TCH

Back to top button
LAJMET E FUNDIT