Daily Mail jep alarmin: Nesër pritet fluks i madh emigrantësh shqiptarë

Tabloidi britanik Daily Mail paralajmëron një valë të madhe emigrantësh ilegalë nga Shqipëria, që parashikohet të kalojnë nesër Kanalin.

Sipas Daily Mail, moti i mirë me temperatura deri në 18 gradë celcius dhe deti i qetë do të favorizojnë trafikantët në lundrimin me gomone dhe varka drejt Britanisë.

Gazeta britanike thotë se trafikantët kanë postuar një sërë reklamash të reja në rrjetin social TikTok, ku njoftohet se tashmë “bileta” për të shkuar në Britani është ulur deri në 3000 paund.

“Udhëtim në Angli me varkë. Fillimi i udhëtimit nga Calais. Mbërritja Dover. Super i sigurt. Siguroni 100,000%. Fillimi i udhëtimit më 11 të këtij muaji”, thuhet në një reklamë në TikTok.

Autoritetet në Britani besojnë se deri në 10,000 emigrantë të tjerë mund të bëjnë kalimin e rrezikshëm deri në fund të vitit për shkak të punëtorëve të fermave që largohen nga Franca pas korrjes së vjeshtës.

Sakaq, gazetat në Britani kanë paralajmëruar një vizitë të ministres së Brendshme Suella Braveman në Shqipëri, për të diskutuar mbi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për ndalimin e fluksit të emigrantëve ilegalë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT