Edith Harxhi dorëzon padinë në Gjykatën e Tiranës për Lulzim Bashën: Kërkova çregjistrimin e tij si kryetar

Anëtarja e kryesisë së PD-së, Edit Harxhi ka dorëzuar në gjykatë padi për ish-kreun e demokratëve Lulzim Bashën.
“Kam mbaruar një nga seancat gjyqësore për padinë që i kam drejtuar gjykatës së Tiranës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të PD për kryetar, më 13 qershor.
Sot kërkova ndryshimin e objekt padisë, çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar nga regjistri i partive politike të Gjykatës. Kjo u pranua sot nga gjyqatari dhe seanca tjetër vijon.
Deri sot nuk ka pasur seancë normale. Kërkesa do të merret në shqyrtim, seanca do vijojë më tej pas disa javësh”, tha Harxhi.
Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidatëve për kryetar të PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit në përfundim të rezultatit tha se mijëra anëtarë të PD nuk u lejuan të votonin , ndërkohë që mijëra u përjashtuan nga listat fare. Sipas saj janë përjashtuar 28 mijë anëtarë të Partisë Demokratike dhe kjo është shkelja me madhe e këtyre zgjedhjeve.