Italia kërkon ujë nga Gjirokastra/ Vendasit nuk dinë asgjë, si qëndron e vërteta? Flet Presidenti i Confindustria

Pas lajmit të qarkulluar në mediat italiane për një plan 1 miliard euro për ndërtimin e një tubacioni nënujor që do të çonte ujë nga Shqipëria, përkatësisht Gjirokastra në Puglia të Italisë, gazetari Thimi Samarxhiu intervistoi në “Zona Zero”, Presidentin e Confindustria Albania, Sergio Fontana, si dhe gazetaren Kristina Fidhi.
Fidhi, vendase në Gjirokastër, tha se asnjë nga banorët nuk kishte dijeni për këtë projekt dhe po ashtu as autoritetet përkatëse.
“Nuk kemi të dhëna për këtë projekt dhe autoritetet që duhet të dinin nuk kanë dijeni për këtë projekt. Më bën habi që ka dijeni vendi fqinj dhe nuk ka komuniteti lokal. Kemi të bëjmë me një projekt që e marrim vesh nga Italia. Zyrtarët lokalë nuk kanë dijeni. Kam dëgjuar vetëm një zë që më tha se është thjesht një ide. Pse duhet të jemi ne banorët e Gjirokastrës të fundit për ta marrë vesh,” tha ajo.
Ndërsa Presidenti i Confindustria, Fontana, u shpreh në një lidhje Skype se projekti do të ishte me leverdi si për shqiptarët ashtu edhe për zonat e Puglia-s në Itali që kanë mungesë uji.
“Vullneti im është të them që ka një sasi të jashtëzakonshme uji që nuk përdoret dhe humbet. Kam gjithë interesin që Shqipëria të ketë avantazhin e vet nga kjo marrëveshje. Mund të kemi bashkëpunim, për të përmirësuar nevojat e popullit shqiptar, për të rregulluar menaxhimin e burimeve ujore në Shqipëri. E them si italian që vjen shpesh në Shqipëri, janë bërë hapa madhorë përmirësimi por ka nevojë për punë ende. Kjo do sjellë punë dhe pasuri, si në Shqipëri ashtu dhe në Puglia,” u shpreh Fontana.