Komplikimet që u frikësoheshin ndërkombëtarët: Gjithçka që po ndodhë në Veri

Nga Altina Marmullaku

Zhvillimet zinxhir kanë filluar në Veri të Kosovës.

Albanian Post mëson se njësitet në Veri janë “në gjendje gatishmërie”.

Gjithçka nisi me njoftimin e Qeverisë së Kosovës të premten që shkoi se vendimi për aplikimin e masave ndaj veturave me targa ilegale nuk do të shtyhet – siç kërkuan partnerët ndërkombëtarë – por do të shkallëzohet.

Përkundër se për tri javët e para do jepeshin veç qortime për shoferët, Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, doli me konferencë për media dhe deklaroi se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese.

Ai, i mbështetur nga Lista Serbe, pohoi se këtë vendim e konsiderojnë “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Pas këtij deklarimi, Inspektorati Policor i Kosovës, njoftoi se Gjuriç është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Vendimi e përshkallëzoi situatën dhe në një konferencë të jashtëzakonshme për media, udhëheqësi politik i serbëve në Veri, Goran Rakiç, ka bërë të ditur që kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës.

Por, largimi nuk ka të bëjë vetëm me nivelin politik.

“Të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në Veri, por edhe nga komunat, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha institucionet e tjera”, tha Rakiç.

Nëse largohen policët serbë në Veri, ata do të duhej të dorëzonin armët dhe uniformat, por AP kupton se ka një shqetësim që kjo mund të mos bëhet, duke u larguar bashkë me armët.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për Albanian Post se përkundër që variron numri, “në Veri janë diku rreth 400 policë serbë”.

Qalaj, tani deputet i Kosovës, thotë se “gjithmonë ka mundësi të përshkallëzohet situata në Veri”, por ai beson se “është veprim i mirë që e ka bërë drejtori i përgjithshëm” me shkarkimin e Nenad Gjuriç.

Madje, pohon Qalaj, “është dashur të suspendohet qysh dje dhe të fillojnë këto procedurat penale të shkarkimit nga pozita”.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit në Veri dhe as njoftimin e Rakiç-it, por në Serbi, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, ka deklaruar se “Pezullimi i Gjuriç-it është fillimi i fundit të Marrëveshjes së Brukselit”.

Gjatë ditës së enjte, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media bëri të ditur se është sulmuar baza e re për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik të Zubin Potokut.

“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armesh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke”, thuhet në komunikatën e policisë.

Teksa, rasti është duke vazhduar që të hetohet nga Policia e Kosovës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT