Lumë sharjesh e ofendimesh në Kuvend, Rama-opozitës: Deri në 2029 s’do ju lëmë shteg të vini në vendin tonë

Në përplasjen e ndodhur në seancën plenare të kësaj të mërkure, gjatë fjalimit të kryeministrit Edi Rama i cili shpërtheu në lumë sharjesh e ofendimesh për opozitën, ka ndërhyrë dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Ajo i është drejtuar deputetit Gazment Bardhi, i cili fliste nga vendi me tone të ngritura dhe drejtonte dhe dorën nga foltorja e Kuvendit.
“Hajde mos fol nga vendi çështë kjo, hajde mos drejto dorën ti po të lutem mba…kujt ia drejton dorën? Hajde qëndro aty tani dhe zbato rregulloren e Kuvendit”, iu drejtua Nikolla, deputetit të PD, Gazment Bardhi.
Kryeministri është ndalur edhe te fitorja e zgjedhjeve lokale të viti 2023 dhe jo vetëm. Duke iu drejtuar opozitës në Kuvend, Rama theksoi se nuk “do t’i lënë të fitojnë deri në vitin 2029” dhe gjatë qeverisjes do të vijojnë t’i dalin në mbështetje biznesit të vogël.
Rama: Ne do vazhdojmë t’iu mundim juve sepse nuk mund ta lëmë biznesin e vogël në dorën tuaj. Nuk iu lëmë asnjë arsye dhe asnjë shteg që deri në vitin 2029 të vini në vendin tonë. Ndërkohë që ne jemi këtu në këtë vend duke vazhduar të mbështesim biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i vendosur taksa dhe duke mos i rritur TVSH-në, por duke i paguar faturën e energjisë elektrike.
Bazuar në këshillimin kombëtar ku morën pjesë mbi 500 mijë shqiptarë kemi vendosur të rrisim shumë fort penalitete për biznesin e madh. ne ndryshe nga çfarë na pikturoni ju jemi në anën e biznesit të vogël dhe të njerëzve të zakonshëm. Ne jemi ata që vazhdojmë të konfiskojmë metrat e babëzisë të atyre që i quajmë oligarkë. Do t’i rrisim penalitetet për biznesin e madh për t’i thënë rri në vendin tënd.