“Po çirret për Portin e Durrësit se aty ka koncesionet e familjes”, Balluku reagon për protestën Berishës ditën e Samitit të BE-së në Tiranë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës për protestë më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do të vijnë drejtuesit e lartë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për të diskutuar mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja Balluku thotë se kushdo që ka patur dyshime mbi veprimet e “non gratave” në aktivitetin politik, tashmë e ka para syve provën e pakundërshtueshme të qëndrimeve antieuropiane.
Sipas saj të protestosh kundër partnerëve strategjikë dhe orientimit euroatlantik të vendit, është dhe do të mbetet në histori, si shembulli unikal i antishqiptarisë.
Postimi i plotë i Ballukut:
Shqipëria drejt Evropës, antishqiptaria në aksion. Kushdo që mund të ketë pasur qoftë edhe një fije dyshimi mbi veprimet e “non gratave”, në gjithë aktivitetin e tyre politik, tashmë e ka përpara syve provën e pakundërshtueshme të synimeve dhe qendrimeve antieuropiane.
Të protestosh kundër partnerëve strategjikë dhe orientimit euroatlantik të vendit është dhe do të mbetet në histori si shembulli unikal i antishqiptarisë.
Është një histori që ka nisur me grabitjen dhe tjetërsimin e pasurive të këtij vendi kur ishin në qeverisje, siç është rasti i 5 HEC-eve shumë të rëndësishme për sistemin elektroenergjitik shqiptar, që i falën për vlerën e TVSH. Pasojat e kësaj grabitjeje po i ndiejmë aq shumë në kushtet e krizës globale të energjisë. Sivëllezërit e rublave mbeten të njëjtë në synimet dhe aksionin e tyre për të goditur Shqipërinë dhe gjithë botën e vlerave demokratike perëndimore.
Po çirret për portin e Durrësit, se aty ka koncesionet e familjes që i ka marrë si hajn ndërkohë që shqiptarët i kishin prerë biletën e ikjes pa kthim në verën e 2013. Dhe sot po tenton të ngrihet nga varri politik dhe një herë për të shkatërruar këtë vend.
Po fati i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët është se nuk ka më fuqi rublash që mund t’i ngrejë nga varri politik këta lloj monstrash. Ata janë të destinuar të mbeten në faqet më të errëta të historise së këtij vendi dhe aspiratave më të mira të tij për t’u integruar në familjen europiane.