“Qeveria angleze të investojë në këtë rajon”, Begaj: Të hapet mikrokonsullatë britanike në Kukës

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas deklaratave të ministres britanike të Brendshme, duke thënë se nuk është dakord me deklaratat e Suella Braveman, që i etiketoi shqiptarët si “pushtues”.
Gjatë një vizite në qytetin e Kukësit, Begaj tha se qeveria angleze duhet të kryejë investime konkrete në zonat e Kukësit, Hasit, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të mos braktisin qytetet e tyre, por të jetojnë e punojnë aty.
Begaj gjithashtu u shpreh se është e nevojshme hapja e një mikrokonsullate angleze në Kukës, në mënyrë që qytetarët të cilët duan të largohen, ta bëjnë këtë përmes vizave të rregullta.
“Nuk jam dakord me deklaratat e bëra nga ministrja e Brendshme, nuk mund të anatemohen dhe të etiketohen si pushtues për faktin që shqiptarët jetojnë e punojnë kudo në bote, janë integruar në shumë vende të botës dhe kanë ndërtuar jetën dhe punuar në mënyrë normale duke paguar taksa, nuk është e drejte te bullizohen ne kete lloj gjeje.
I kam kërkuar qeverise britanike investimet e saj ti beje ne drejtim te zonave ku ka emigrante, rruga e duhur për mua dhe kërkesa ime ndaj tyre është investimet e qeverise angleze ne ketë rajon.
Por të jenë investime me qellim që këta qytetarë që ikin për një jetë më të mirë të punojnë e të jetojnë në Kukës, Dibër, Has e Tropojë. Kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me hapjen e një mikrokonsullate angleze në Kukës që të bëje të mundur që qytetarët të ikin me viza të rregullta të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonal”, tha Begaj.