VIDEO/ Albin Kurti njofton takim me Aleksandër Vuçiç në Paris: I gatshëm për dialog dhe marrëveshje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se mund të zhvillojë një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së tij ditën e nesërme në Francë.

Kurti njofton se do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, ndërsa nuk përjashton mudësinë e një takimi trilateral me Vuçiç, i cili gjithashtu është i ftuar në këtë event.

Kryeministri Kurti thotë se është i gatshëm për dialog dhe marrëveshje që do të çojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërsa shprehet se në tavolinë tashmë ka dy propozime atë franko-gjerman që ka dhe mbështetjen e SHBA si dhe propozimin e tij të prezantuar rreth dy muaj më parë në Bruksel.

Takimi i Kurtit me Vuçiç pritet të ndodhë në mesin e tensioneve mes dy vendeve, pas implementimit të marrëveshjes së targave çka solli reagimin me bojkot të institucioneve kosovare nga zyrtarët dhe politikanët serbë. Së fundmi, ambasadori i SHBA në Prishtinë i ka bërë thirrje Kurtit të pranojë asiosiacionin e serbëve në Kosovë, që është dhe një prej pikave të planit franko-gjerman.

Mesazhi i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria.

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.

Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT